Matura 2013


Nxënësit e shkollave artistike do të testohen vetëm në një lëndë me zgjedhje, rregullat për mbetësit


Projekti për ndryshimet në maturën e 2013-s, për shtimin e provimeve, nuk do të realizohet. Edhe pse pritej që maturantët e vitit 2012-2013 do të testohen në 3 provime të detyruara dhe 2 me zgjedhje, mësohet se praktika e këtyre viteve nuk do të ndryshojë. Kështu, edhe maturantët e vitit të ardhshëm shkollor do të zhvillojnë 4 provime, nga të cilat 2 me detyrim dhe 2 me zgjedhje, siç ka funksionuar për gjatë gjithëve viteve të aplikimit të sistemit të maturës në sistemin tonë arsimor. Lëndët e provimeve të këtij procesi do të jenë sërish: Gjuha shqipe dhe letërsia, matematika dhe dy lëndët me zgjedhje, të cilët do të përcaktohen sipas dëshirës së nxënësve. Duke iu referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit firmosur dje, për zhvillimin e provimeve të maturës shtetërore 2013, rezulton se testet do të jenë të ngjashme për të gjitha shkollat e mesme në vend, ndërsa diferencën do ta bëjnë kreditet, pikët që ka secila lëndë, në varësi të përzgjedhjes që do t’i bëjnë vetë nxënësit. Por, ndonëse përzgjedhja e lëndëve me zgjedhje bëhet me dëshirën e maturantit, duhen plotësuar të tjera kritere.


“Shuma e krediteve të këtyre lëndëve të jetë jo më e vogël se 8. Numri i lëndëve me zgjedhje të jetë 2. Maturantët e shkollave artistike kanë të drejtë të zgjedhin vetëm një prej lëndëve. Kandidati kur zgjedh një lëndë të the11uar, nuk mund të zgjedhë njëkohësisht të njëjtën lëndë bërthamë. Çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja të ndryshme, me kusht që njëra do të trajtohet si gjuhë e huaj e parë (10 kredite), ndërsa tjetra si gjuhë e huaj e dytë (6 kredite). Kandidatët, të cilët kanë dhënë provime me zgjedhje dhe janë vlerësuar me notë jo më të vogël se 4.50, do t’i mbartin ato. Kandidatët, të cilët nuk janë kalues ose nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje do t’i rijapin ato. Ata që janë kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje e mbartin atë dhe japin një provim tjetër. Kandidatët, që kanë fituar Dëftesë Pjekurie përpara vitit 2006 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime universitare, u njihen vetëm dy provimet e detyruara, ndërsa janë të detyruar të zhvillojnë ato me zgjedhje”, parashikohet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për maturën 2013. Sh.Mezini