Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë reagoi lidhur me udhëzuesin e “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”, të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Përmes një deklarate, Këshilli Ndërfetar shpreh shqetësim për mënyrën e miratimit të udhëzuesit dhe kërkon më shumë transparencë institucionale, konsultim profesional dhe debat publik për një çështje që, sipas tij, ka ndikim të gjerë shoqëror, etik dhe mjekësor.

Sipas deklaratës, çdo protokoll apo ndërhyrje mjekësore me pasoja të mundshme afatgjata fizike, psikologjike dhe sociale duhet të mbështetet në standarde të qarta shkencore, bazë të qëndrueshme juridike dhe procedura transparente vendimmarrjeje.

Këshilli Ndërfetar i kërkon institucioneve përgjegjëse të bëjnë publike bazën shkencore dhe mjekësore mbi të cilën është hartuar udhëzuesi, arsyetimin që ka çuar në miratimin e tij me procedurë të përshpejtuar, si edhe bazën ligjore mbi të cilën mbështetet ky vendim.

Një tjetër pikë për të cilën kërkohet sqarim lidhet me përfshirjen e të miturve në këtë rregullim. Sipas Këshillit, institucionet duhet të shpjegojnë kriteret dhe arsyetimin mjekësor, etik dhe juridik që kanë çuar në këtë përcaktim.

Në deklaratë ngrihen gjithashtu pikëpyetje mbi kuadrin ligjor që autorizon personelin mjekësor të aplikojë trajtime hormonale për personat transgjinorë, duke argumentuar se legjislacioni aktual shqiptar nuk parashikon një rregullim të posaçëm dhe të detajuar për statusin juridik, kriteret klinike dhe procedurat që lidhen me këto trajtime.

DEKLARATA PUBLIKE – Mbi Udhëzuesin e Praktikës Klinike “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje miratimin e Udhëzuesit të Praktikës Klinike “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”, të miratuar me Urdhrin nr. 304, datë 28.04.2026, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Në respekt të rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, dhe të kompetencave të institucioneve publike në fushën e shëndetësisë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë vlerëson se çështje të kësaj natyre, për shkak të ndikimit të tyre shoqëror, etik, mjekësor dhe antropologjik, kërkojnë transparencë të plotë institucionale, konsultim të gjerë profesional dhe debat publik të informuar.

Në funksion të mbrojtjes së interesit publik, Këshilli Ndërfetar konsideron se çdo protokoll apo ndërhyrje mjekësore me pasoja potencialisht afatgjata fizike, psikologjike dhe sociale duhet të mbështetet mbi standarde të qarta shkencore, bazë të qëndrueshme juridike dhe procedura transparente vendimmarrjeje, në përputhje me parimet kushtetuese të proporcionalitetit, sigurisë juridike dhe mbrojtjes së shëndetit publik.

Për këtë arsye, Këshilli Ndërfetar kërkon që institucionet përgjegjëse të bëjnë publike:

-Bazën shkencore dhe mjekësore mbi të cilën është hartuar ky udhëzues;

-Arsyetimin shkencor, mjekësor dhe etik që justifikon miratimin me procedurë të përshpejtuar të këtij urdhri;

-Bazën juridike dhe kompetencat ligjore mbi të cilat mbështetet miratimi i tij;

-Arsyetimin dhe kriteret mbi të cilat është përfshirë edhe kategoria e personave të mitur në këtë rregullim.

Këshilli Ndërfetar vlerëson gjithashtu se kërkon sqarim publik edhe baza juridike mbi të cilën personeli mjekësor autorizohet të aplikojë trajtime hormonale për personat transgjinorë, duke qenë se legjislacioni shqiptar aktual nuk parashikon një kuadër të posaçëm ligjor që rregullon në mënyrë të detajuar statusin juridik, kriteret klinike, procedurat mjekësore dhe standardet e trajtimit për këtë kategori personash.

Duke pasur parasysh natyrën komplekse dhe pasojat afatgjata mjekësore, psikologjike dhe sociale të trajtimeve hormonale, Këshilli Ndërfetar vlerëson se është i nevojshëm një debat i gjerë kombëtar dhe konsultim multidisiplinar me ekspertë të mjekësisë, bioetikës, psikologjisë, të drejtës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me qëllim garantimin e transparencës, sigurisë juridike dhe besimit publik me përgjegjësi institucionale, gjuhë etike dhe respekt për dinjitetin e çdo personi.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë rithekson se, në përputhje me mësimet dhe traditat e Komuniteteve fetare që përfaqëson, identiteti njerëzor dhe dallimi ndërmjet burrit dhe gruas konsiderohen pjesë themelore e natyrës njerëzore të dhënë nga Zoti. Në këtë kuptim, shprehim rezervat dhe shqetësimin ndaj ndërhyrjeve mjekësore apo praktikave që synojnë ndryshimin artificial të karakteristikave gjinore biologjike, duke vlerësuar se procedura të tilla prekin konceptin natyror të personit njerëzor dhe të familjes, sipas traditës fetare dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shoqëria jonë. Misioni ynë mbetet angazhimi për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, të familjes, të rendit moral dhe të interesit publik, duke bërë thirrje për përgjegjësi institucionale, transparencë dhe respekt ndaj vlerave themelore njerëzore e shoqërore. Bordi i Presidencës KNFSH.