Nëna e gjyqtares Enkelejda Hoxha ka falenderuar Edi Ramën që i futi në burg të bijën, të arrestuar për kurrupsion nga operacioni i mirëorganizuar i SPAK. Në një rrëfim për gazetarin Arsen Rusta të Report TV, nëna e Hoxhës tha se nëse vajza e saj nuk do të ishte arrestuar, do ta kishin vrarë kriminelët.

“Edi Ramën që ma burgosi vajzën, e falënderoj shumë. Do ma kishin vrarë. Do i bënin ndonjë puç në Dibër e do ma kishin vrarë. Ata, ata kamikazët, kriminelët,”– dëgjohet të thotë ajo, ndërsa i ati tregon se pak ditë më parë janë sulmuar me një tullë.

“Ne skemi dashur që t’i hapim telashe. Për shembull, tek ekspozita në orën 7:30 të mbrëmjes para disa ka vërshëllyer një tullë kaq e madhe përpara tyre dhe vajzës së vogël. Nuk e gjetën dot kush e hodhi dhe ne nuk informuam,”– thotë Belul Hoxha.

Pamjet tregojnë edhe banesën e gjyqtares, një apartament 65 m2 në lagjen Komuna e Parisit në katin e 11, të këtij pallati ndërtuar në vitet 2000. Belul Hoxha, i ati i gjyqtares së arrestuar tregon se është blerë në vitin 2002 dhe se kanë ende këstin e fundit prej 4500 dollarë të papaguar. Brenda kësaj shtëpie ku e gjithë hapësira shfaqet në kaos, është edhe djali i sëmurë i gjyqtares, Redi, vajza e mitur, Antia dhe prindërit e gjyqtares. Kuzhina e kthyer në dhomë fjetjeje me tre krevate dhe ballkoni i përshtatur në kuzhinë janë dhomat ku flinte dhe ushqehej gjyqtarja me 3 fëmijët e saj.

“Këtu fle Enkelejda. Prej 17 vitesh ka kërkuar që të lëvizë nga Kruja për djalin që është sëmurë. Asnjë lek nuk ka marrë ajo. Eda ka qenë e detyruar, ajo nuk e bënte atë punë kurrë. Erdhi SPAK këtu dhe u habitën kur panë se ku fle gjyqtarja,”– thotë mamaja e Hoxhës.

Babai Beluli thotë se paratë e gjetura në shtëpi janë për këstin e shtëpisë se ende nuk e kanë me dokumente. Ajo që nuk mungon edhe në banesë janë kukullat e shumta.

“I kanë blerë që kur ka lindur Redi, i k shumë qejf këto,”- thotë e ëma e gjyqtares, teksa tregon me dorë edhe një të çarë që ka lënë tërmeti i 26 nëntorit në apartamentin ku jetojnë.