KRUJË – Vijon të rritet numri personave me simptoma që i drejtohen Spitalit të Krujës. Raportohet se nga mesdita e kaluar e deri më tani, rreth 150 persona janë paraqitur në spital për mjekim shëndetësor.

Edhe pse ka një rënie të fluksit krahasur me dy ditët e mëparshme, mësohet se deri tani rreth 500 qytetarë në total kanë kërkuar ndihmë mjekës.

Situata alarmante në qytetin e Krujës ka bërë që ujësjellësi i zonës të kërkojë boshatisjen e depozitave.

Ujësjellësi i Krujës tha dje, se nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, dyshohet se reshjet e dendura të shiut në veçanti në Malësinë e Krujës ku ndodhen kanalizimet e marrjes së ujësjellësit, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm. Paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë. Kryesisht amonikau gjendet në ujërat e zeza dhe reshjet e dendura dyshohet se kanë bërë përzierjen me ujin e pijshëm.

Qytetarët e sëmure thonë se kanë simptoma të ndryshme, ndërsa janë të bindur se helmimi ka ardhur nga konsumimi i ujit.

Pritet dalja e përgjigjes së analizave epidemiologjike për të vërtetuar nëse uji është bërë shkaktar i gjendjes së rënduar të qytetarëve.

Inaugurimi

Pak muaj më parë, gjatë fushatës elektorale, ujësjellësi i Krujës u inaugurua nga Kryeministri Rama, i cili piu ujë aty, pasi mbushi një bidon plastik në rubinet.

“Uji i pijshëm i Krujës, 24 orë, gëzuar! Perfekt”, shprehej Rama, duke i zgjatur bidonin Milva Ikonomit, në atë kohë ministre e Bujqësisë, e cila nuk ngurroi aspak të pinte nga i njëjti bidon ku piu edhe Kryeministri./ Gazeta SHQIP