Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin e 2019-ës të ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, mbi grupin e Lazaratit të dënuar në total me 52 vite burg.

Bëhet e ditur se nga 52 vite burg që ishin dënuar, ‘grupi i zjarrit’ tani do vuajë vetëm 31 vite burg. Konkretisht, Arbjon Aliko është dënuar me 10 vite burg, nga 13 vite që ishte dënimi i mëparshëm.

Me 8 vite burg është dënuar Gurgaz Skënderi, i cili më parë ishte dënuar me 11 vite burg. Dënimi i Enrik Skënderi është ulur në 8 vite, nga10 që ishte ishte dënuar më parë. Ndërkohë, dënimi i Alfred Prokos është ulur në vetëm 4.9 vite burg, nga 10 që ishte dënuar më parë, në mungesë.

Apeli i Posaçëm prishi edhe vendimin e ish-Gjykatës së Shkallës së parë për krime të rënda për shtetasin Beqo Brahimi, që ishte dënuar me 8 vite burg për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr” duke vendosur pushimin e çështjes ndaj tij për këto akuza, për shkak se me vendim gjyqësor të formës së prerë është dënuar për të njëjtat vepra penale. Dënimet janë dhënë lidhur me ngjarjet e vitit 2014 në Lazarat.