Çmimet e naftës ranë ndjeshëm për të dytën ditë radhazi pasi presidenti amerikan Donald Trump rriti shpresat për një marrëveshje me Iranin për ti dhënë fund luftës.

Trump tha se SHBA-të do të ndalonin operacionin e tyre për të shoqëruar anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo ndikoi më tej tregjet e naftës, pasi ccmimet ranë me 6% duke arritur në 103 dollarë për fuçi.

Tregtarët e naftës thanë se pezullimi i Projektit Liria është një shenjë se Uashingtoni është i gatshëm ti japë diplomacisë një shans tjetër, por shtuan se kjo nuk shënon një pikë të fortë kthese.

Thelbësore sipas tyre mbetet hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit, përmes të cilës kalon një e pesta e naftës e gazit global.

Që prej fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme me 28 shkurt çmimet e naftës në tregjet globale janë dyfishuar. Shtrenjtimi i çmimeve të energjisë ka nxitur inflacionin dhe ka shtuar pasiguritë për ekonominë globale.

Organizata kryesorë si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë ulur parashikimet e tyre për rritjen e ekonomisë botërore për shkak të ndikimit që po jep lufta në Iran. Sipas tyre, edhe nëse një marrëveshje paqeje vendoset së shpejti, rekuperimi i dëmeve ekonomike do të kërkonte kohë veçanërisht për vendet në zhvillim.