Në zonat verilindore të vendit temperaturat kanë pësuar një rënie të ndjeshme, madje janë përfshirë edhe reshjet e shiut dhe borës.

Bëhet e ditur se në lartësitë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet kanë qenë kryesisht në formë bore.

Raportohet se në njësitë administrative të thella si Shishtaveci, Zapoti, Topojani, Gryk-Qaji, Arreni dhe Kalisi janë zbardhur nga bora, duke sjellë një pamje të vërtetë dimërore. Deri në këto momente nuk janë raportuar probleme në qarkullim apo furnizim.

Megjithatë, drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, për shkak të lagështisë dhe mundësisë së akullit në rrugë.