Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me skemën abuzive të zyrtarëve vendorë të bashkisë Fier, që çoi edhe në nisje të hetimeve për ta.

Zyrtarë të Bashkisë Fier, përfshirë ish-zv/kryetaren Adela Hysenaj si dhe drejtorë të nivelit të lartë në Tatime, nuk zbatuan detyrimin ligjor për të pajisur me kasë fiskale shërbimin e parkimit nëntokësor që administrohej nga Bashkia.

Kjo shmangie sistematike bëri që të mos arkëtohej në buxhetin lokal shuma prej rreth 40 milionë lekësh, e cila duhet të ishte siguruar nga përdoruesit e këtij shërbimi. Pagesat për parkimin, megjithëse të mbledhura, nuk kalonin në rrugë zyrtare dhe nuk regjistroheshin në sistemin tatimor.

Në një tjetër element të skemës, zyrtarë të Bashkisë Fier, nëpërmjet manipulimit të vlerësimeve fiskale dhe tarifore, ulnin në mënyrë të pajustifikuar taksat për subjekte të caktuara private. Këto lëshime të favorshme dyshohet se janë bërë kundrejt përfitimeve personale, duke u dhënë avantazh të padrejtë disa bizneseve në treg.

Zyrtarët e proceduar janë Adela Hysenaj, ish-zëvendës Kryetare e Bashkisë Fier, Anisa Cjapi, drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore, Martin Dodi, sekretar i përgjithshëm i Bashkisë dhe Vasil Ceku, drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier.