Romët e Trenit


Komuniteti: Jemi në proces legalizimi, nëse do na dëbojnë, të na njoftojmë të gjejmë çati


Lorina Mixha


Një vit pas largimit të tetë familjeve rome në zonën e Trenit, të cilët edhe sot nuk kanë gjetur ende çati, pavarësisht mbrojtjes që u bëri çështjes së tyre Avokati i Popullit, historia po përsëritet.


Komuniteti rom ka denoncuar në gazetën “Shqip” problemin e tetë familjeve në zonën e Trenit, përkatësisht në zonën që njihet si ish-stalla e kuajve, u është dhënë ultimatumi për t’u larguar nga shtëpitë deri më datën 3 dhjetor.


“Ne kemi paguar të gjitha faturat, çdo gjë që na është kërkuar, kemi vite që qëndrojmë atje, i kemi ndërtuar vetë shtëpitë me llamarina dhe ALUIZN-i na ka thënë që të presim emrat në gazetë, pasi po na legalizojnë shtëpitë”, thotë Bardhi, 50 vjeç kryefamiljari i një prej banesave në zonën e Trenit.


Sipas tij, tetë familje që jetojnë atje janë në dyshim nëse do t’u duhet të largohen, të gjejnë një strehë tjetër, apo të presin vendimin e ALUIZN-it dhe të besojnë për legalizimin e banesave të tyre.


“Disa herë na kanë ardhur në shtëpi, persona të shoqëruar nga efektivë civilë, të cilët na kanë thënë se duhet të lëmë shtëpitë. Nuk dimë se ç’të bëjmë, askush nuk na thotë të njëjtën gjë. Nga njëra anë presim legalizimin, emrat në gazetë, nga ana tjetër na thonë të lëmë shtëpitë”, tregon Bardhi. Ai është drejtues automjetesh, si i tillë ka punuar para viteve ‘90, ndërsa më pas është marrë me grumbullimin dhe shitjen e mbetjeve, proces i lënë pezull për më shumë se gjashtë muaj, pas një vendimi të policisë bashkiake.


“Kemi mbetur pa punë, të dy djemtë e mi janë larguar në Greqi, bashkë me nusen, ndërsa unë rri këtu i vetëm. Ikën se s’kishin ku të punonin, për bukën e gojës, tani i kam larg, nuk di nëse hanë, a nëse lypin, i kam larg syve. Mbetëm pa punë, tani do të na lënë edhe pa shtëpi. Të paktën ta dimë, të na thonë të ikim diku tjetër, të mos presim emrat për legalizim”, thotë 50-vjeçari rom.


Në fillim të vitit 2012, dhjetëra familje rome u dëbuan nga shtëpitë e tyre pa asnjë motivacion. Ata mbetën pa banesa, qiellin kishin çatinë, dhe në kohën e uljes së temperaturave Avokati i Popullit, Igli Totozani, i mbajti për rreth dy javë në institucionin e tij.


Pavarësisht avokatisë së Totozanit për çështjen e tyre, një pjesë e familjeve jeton në Kombinat në kushte tepër të vështira ndërkohë që pjesa tjetër nuk dihet se ku kanë shkuar e çfarë bëjnë.


Nga ana tjetër, romët, të cilët merren me ndarjen e mbeturinave, kanoçe, letër apo xham, janë pa punë dhe u është ndaluar veprimtaria për grumbullimin dhe shitjen e materialeve të riciklueshme. Në njësinë bashkiake, atyre u thonë të paraqiten te zyra e punës për të marrë ndihmë ekonomike. “Me 30 mijë lekë të vjetra nuk bëjmë dot asgjë, as bukë, as paketë nuk blejmë dot. Ne kemi dhe zakonin që bëjmë shumë fëmijë dhe kemi familje të mëdha”, ankohen romët.


 


Të dhëna


Ultimatumi – Sipas komunitetit rom të vendosur në zonën e Trenit, ultimatumi për të lënë shtëpitë është këtë muaj, në dhjetor


Legalizimi – Familjeve rome u është thënë se banesat e tyre janë në proces legalizimi dhe pritet që emri i tyre të botohet në gazetë


Zona – Në zonën e Trenit të vjetër, familjet rome janë vendosur në lagjen e njohur si ish-stalla e kuajve para viteve ‘90