Këshilli Bashkiak


Pas propozimit për heqjen e Kosovrastit, parlamenti vendor nuk parashikon takim brenda 10 ditëve


Të dhëna


Transparenca – Sipas këshilltarëve të majtë, zëvendësimi i kryetarit të Këshillit Bashkiak do të sjellë më shumë transparencë për qytetarët e Tiranës


Mbledhja – Takimi i fundit i Këshillit Bashkiak ishte dy javë më parë, ku me shumicën e votave u miratuan dy vendime të rëndësishme, zgjatimi i bulevardit dhe për kreditë e të rinjve


Qytetari – Në emër të qytetarit janë kërkuar ndryshime në Këshillin Bashkiak, duke e kthyer institucionin në një arenë politike të presionit dhe ultimatumeve


Lorina Mixha


basha ne keshillin bashkiaSekretaria e Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk ka bërë asnjë njoftim për mbledhje brenda 10 ditëve, ashtu siç është vendosur ultimatumi. Anëtarët e majtë të Këshillit Bashkiak dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë kërkuar shkarkimin e kreut aktual të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, dhe zëvendësimin e tij me kreun e këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi.


Por, sipas sekretarisë së Këshillit Bashkiak, nuk ka njoftuar asnjë nga anëtarët për mbledhje të afërt. Mbledhja e fundit u bë dy javë më parë, kur u miratuan dhe disa vendime të rëndësishme për qytetin e Tiranës, biznesin dhe zgjatimin e bulevardit të ri të kryeqytetit. Sipas legjislacionit në fuqi për organizimin e pushtetit vendor, minimumi i mbledhjes së Këshillit Bashkiak është 1 herë në muaj, më pas vendoset për mbledhje në varësi të kërkesave dhe punëve që kanë përfaqësuesit e qytetit lidhur me ecurinë e projekteve të Tiranës. Pak ditë më parë, 1/3 e anëtarëve të Këshillit Bashkiak mbi 19 këshilltarë kanë firmosur kërkesën për mbledhjen e parlamentit vendor brenda 10 ditëve dhe shkarkimin e kreut aktual. “Sipas rregullores dhe ligjit të pushtetit vendor, kemi kërkuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak, sipas rregullave tani i takon kryetarit ta mbledhë institucionin. Në rast se ai vendos të mos e mbledhë, atëherë ne do ta mbledhim vetë dhe do e bëjmë me dijeni”, tha këshilltari i PS-së në Këshillin Bashkiak, Gent Gazheli. Sipas tij, këto ndryshime do të ndihmojnë qytetarët, pasi deri tani anëtarët e opozitës kanë qenë në “terr” informativ për sa i takon menaxhimit të fondeve dhe punës që bën aktualisht Bashkia e Tiranës.


Beteja politike nga qeveria qendrore është transferuar në qeverisjen vendore dhe Këshilli Bashkiak është kthyer në një arenë ku mazhorancë e opozitë thumbojnë e bëjnë presion çdo ditë mes palëve. Por anëtarët opozitarë të këshillit janë të mendimit se largimi i kryetarit të Këshillit Bashkiak dhe zëvendësimi me njërin prej tyre do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të punëve të qytetit, sepse gjithçka do të bëhet më transparente për qytetarët. Në emër të qytetarëve, LSI-ja e PS-ja do të bëjnë ndryshime thelbësore në këtë institucion vendimmarrës për punët e qytetit.


“Na është mohuar informacioni, kemi kërkuar nëpërmjet dhjetëra shkresave informacion për mënyrën sesi funksionon Këshilli Bashkiak, kemi kërkuar informacione për kontrollin, auditin e Bashkisë së Tiranës. Duke pasur kryetarin e këshillit për ne do të realizohet më shumë transparencë për qytetarët, për fondet, për shërbimet, për pastërtinë e qytetit dhe për lehtësira të tjera për qytetarët. Neve deri tani kryetari i këshillit na e ka mohuar fjalën, nuk na ka lënë të flasim, na ka vendosur censurë. Ka shurdhëri dokumentacioni, nuk ka transparencë për vendimmarrjen në buxhet dhe shpenzimet. Qëllimi ynë me ndryshimin e kryetarit është t’i shërbejmë qytetarit”, sqaroi Gazheli.


Sipas tij, ata nuk janë njoftuar për mbledhje nga Këshilli Bashkiak, por shtyrja dhe zvarritja e mbledhjes, për shkak të ndryshimeve, nuk do të ndryshojë iniciativën e shkarkimit të Njazi Kosovrastit.