Në takimin e zhvilluar sot me kryebashkiakët, kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për shkarkimin dhe zëvendësimin e nënkryetarëve të bashkive në të gjithë vendin, duke argumentuar se ka nevojë për “rifreskim” dhe rritje të kapaciteteve.
Duke iu drejtuar me batutë kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, Rama u shpreh se nënkryetarët e Lezhës duken shumë të lodhur dhe se do të ishte në nderin e tij t’i largonte nga detyra.
“Çështja e rifreskimit masiv të drejtorëve në bashki dhe në institucionet qendrore të qarqeve nuk është qëllim, por një domosdoshmëri për të rritur aksesin e njerëzve të zotë në punën tonë të përbashkët. Nëse nuk e bëjmë këtë rritje kapacitetesh, do të gjendemi në një situatë aspak pozitive sepse sfidat janë shtuar shumë,” tha Rama.
Ai theksoi gjithashtu se duhet të ketë një ndarje të qartë mes nënkryetarëve që merren me çështje urbane dhe atyre që merren me zonat rurale.
“Pjerin, edhe nënkryetarët e tu i shoh shumë të lodhur, në nderin tënd është që t’i shkarkosh të gjithë. Tek nënkryetarët është mirë të bëni një rifreskim të madh, sepse edhe ju vetë e ndjeni që mezi po i mbani në krah,” shtoi kryeministri.
