Bashkia e Tiranës merr masa për mbarëvajtjen e qarkullimit të automjeteve. Lëvizje e kufizuar në 3 segmente


Shpresa Mezini


UnazaPunimet për rikonstruksionin dhe ndërhyrjen në disa rrugë të caktuara të unazës së vogël kanë nisur prej disa javësh, ndërsa dje Bashkia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht shoferët e automjeteve për segmentet, të cilat do të bllokohen apo që do të funksionojnë në mënyrë të kufizuar. Kjo në kuadër të masave të marra nga ky institucion për organizimin e qarkullimit të automjeteve për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve për ndërtimin e projektit të unazës së vogël. Siç edhe u tha më herët në një artikull të plotë të botuar në gazetën “Shqip”, tenderin për ndërtimin, rikonstruksionin dhe rinovimin e unazës së vogël, Tiranë, në segmentin nga Banka e Shqipërisë deri tek Ushtari i Panjohur e ka fituar operatori ekonomik “Geci” sh.p.k., që garoi me dhjetë operatorë të tjerë, të cilët u skualifikuan për shkak të mungesës së dokumentacionit. Sa i takon vlerës së investimit, mësohet se Bashkia e Tiranës do t’i prokurojë “Geci” sh.p.k 10 milionë euro.


Rrugët e bllokuara


Veliaj-inspekton-punimet-te-Unaza-e-Vogel-3Bashkia e Tiranës njofton se qarkullimi i automjeteve në rrugën e “Barrikadave”, segmenti “Luigj Gurakuqi” deri në rrugën e “Dibrës”, do të bëhet i kufizuar sipas planit lëvizës më poshtë:


Ndalohet qarkullimi i mjeteve në rrugën e “Barrikadave”, segmenti Rruga e Dibrës” me rrugën “Luigj Gurakuqi”; qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet i drejtuar si më poshtë: Në kryqëzimin e rrugës “George.W.Bush” me rrugën “Luigj Gurakuqi”, drejtim i detyruar majtas dhe djathtas; Në kryqëzimin e rrugës “Luigj Gurakuqi” me rrugën “George.W.Bush”, drejtim i detyruar drejt; Rruga e Dibrës, segmenti sheshi “Skënderbej” deri te Rruga e Barrikadave, me dy sense lëvizjeje dhe do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë në të dy krahët e saj; segmenti pas Pallatit të Kulturës, ana veriore e saj, do të jetë e bllokuar deri në përfundimin e punimeve; Në kryqëzimin e rrugës “Luigj Gurakuqi” me rrugën pas Pallatit të Kulturës, drejtim i detyruar drejt dhe djathtas; Në kryqëzimin e rrugës sheshi “Skënderbej” me rrugën “Luigj Gurakuqi” te xhamia, drejtim i detyruar drejt; segmenti i rrugës “Qemal Stafa” nga Rruga e Barrikadave deri te Rruga e Saraçëve do të ketë akses hyrës vetëm nga rruga “Kostandin Kristoforidhi”. Për sa i takon qarkullimit dhe stacionimit të mjeteve të transportit urban qytetës, Bashkia e Tiranës lajmëron se lëvizja do të jetë: Linja Kamzë – Qendër, City Park – Qendër dhe Vorë – Qendër do të kryejë rrotullim përreth sheshit “Skënderbej” dhe do të stacionohet pas Pallatit të Kulturës; stacioni ekzistues te Rruga e Barrikadave  kalon te segmenti Rruga e Dibrës, segmenti sheshi “Skënderbej” deri te rruga “Bardhok Biba”.


Projekti


Projekti i Unazës së Vogël, i projektuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 2005, parashikon rikonstruksionin dhe ndërtimin e tri segmenteve kryesore, ku veç të tjerash parashikohet edhe shembja e disa ndërtesave. Bëhet fjalë konkretisht për segmentin numër 3, një fragment i Unazës së Vogël, e cila përfshin bashkimin e Rrugës së Barrikadave me rrugën “Urani Pano”. Mirëpo, sipas planimetrisë së përgjithshme të Unazës së Vogël për t’u bashkuar Rruga e Barrikadave me rrugën “Urani Prano” do të duhet të shemben disa godina përreth, që aktualisht e bëjnë të pamundur këtë bashkim, siç është ndërtesa ku prej shumë vitesh ushtron aktivitetin kompania e parë e sigurimeve, INSIG, ndërsa pranë tij ndodhet klinika MEDICARE, e cila e ka filluar aktivitetin e saj në vitin 2001, në pronësi të neurokirurgut të njohur, profesor Mentor Petrela. Pa përjashtuar edhe ndërtesat e aktiviteteve të tjera pranë tyre, të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë daljes nga Rruga e Barrikadave direkt përpara 15-katëshit. Ndërsa në dy segmentet e tjera bashkimi nga kryqëzimi me Rrugën e Kavajës deri në kryqëzimin me Bulevardin “Zogu I” dhe nga kryqëzimi me Rrugën e Dibrës deri në kryqëzimin me rrugën “Luigj Gurakuqi” nuk do të preket asnjë ndërtesë. Sipas relacionit të Unazës së Vogël segmenti 2, 3 dhe 4 thuhet se rikonstruksioni i saj ka si qëllim ndryshimin e strukturës së rrugës duke ndryshuar gjerësinë e profilit tërthor ekzistues, me qëllim përmirësimin e lëvizjes për qytetarët që përdorin biçikleta, të kalimtarëve dhe të automjeteve.