Xhemal Loka është lënë në burg nga gjykata e Durrësit, i akuzuar se shtyu gruan e tij Bedrie Loka, drejt vetëvrasjes. Në gjykatë ai ka mohuar akuzat, ndërsa ka rikujtuar edhe fjalët e fundit të gruas në spital.
“Unë kam dhembje më shumë se kushdo dhe se familjarët e saj. Kur kemi qenë në spital në Tiranë, gruaja është përmendur dhe ai e ka pyetur se përse e bëre këtë ? Më tha që kam qenë shumë e mërzitur.”– ka deklaruar ai.
Ndërkohë familjarët e tij kanë shkuar sot në Gjykatën e Durrësit ku 45-vjeçari doli për vlerësimin e masës së sigurisë.
Nëna e Xhemalit thotë se i biri ia kishte falur Bedrijes historinë e postimit denigrues në Tik Tok. Flasin dhe për një konflikt të vjetër mes familjes së tyre dhe vëllezërve të Bedrijes mbi vjedhjen e 40 mijë eurove në banesën e familjes Loku. Duket që ky konflikt i vjetër u rihap më 3 janar ditën kur do ta merrnin trupin e pajetë nga morgu.
Edhe vëllai i Xhemal Lokës, Fatmiri ka hedhur poshtë akuzat e vëllezërve të Bedrie Lokës, se ajo është shtyrë drejt vetëvrasjes nga bashkëshorti i saj i cili e dhunonte. Sa u takon deklaratave të fëmijëve për dhunë, ai tha se ata janë kërcënuar nga dajat.
Duket që familjarët kanë qenë në dijeni të dhunës që Xhemal Loka ushtronte ndaj Bedrijes. E pranon në fjalën e saj dhe vetë vjehrra.
“Më kanë akuzuar mua se nana ka nxit djalin të rrahë nusen. Edhe vajza e nuses ka pirë dy herë helmin. E dinë ajo se unë kam qenë në Greqi”- thotë ajo.
Ngjarja e rëndë u shënua më 2 janar por u bë publike më 5 janar 2024 ndërsa Loka u arrestua një ditë më pas.

