Pas më shumë se pesë vitesh nga shpallja “non grata”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur t’i heqin masën e ndalimit të hyrjes në territorin amerikan.
Berisha mbërriti në Kuvend mes duartrokitjeve të deputetëve demokratë dhe, i pyetur nga gazetarët për lajmin, dha një përgjigje të shkurtër nga foltorja.
“Unë erdha, u krye”, u shpreh kreu i PD-së, pa dhënë detaje të mëtejshme dhe pa iu përgjigjur interesimit të mediave.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet amerikane apo nga ambasada e SHBA-së në Tiranë lidhur me deklaratën e Berishës.
Kujtojmë se më 19 maj 2021, ish-sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shpalli “non grata” Sali Berishën dhe anëtarët e ngushtë të familjes së tij, duke argumentuar se ishin përfshirë në akte korrupsioni që, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, minonin demokracinë në Shqipëri.
Në deklaratën e asaj kohe, Blinken njoftonte se Berisha dhe familja e tij ndaloheshin të hynin në SHBA, duke theksuar angazhimin e Uashingtonit në luftën kundër korrupsionit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
