Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar sot në rrjetet sociale një fotografi të një protestuesi të ulur para Kryeministrisë, duke e shoqëruar me mesazhin se në protestat e fundit ka individë që, sipas tij, mund të përdoren nga aktorë të tjerë për interesa politike. Në të njëjtin postim, Rama është shprehur se ka mirëkuptim për qytetarët që, sipas tij, dalin në mënyrë të sinqertë në shesh.

Pas publikimit të fotos, ka reaguar vetë personi që shfaqej në të. Erlis Sina e ka kritikuar kryeministrin, duke e konsideruar mënyrën e paraqitjes së protestuesve si një përpjekje për t’i portretizuar ata si të manipuluar, gjë që sipas tij përbën përçmim ndaj qytetarëve.

Sina thekson se pjesëmarrja e tij në protesta nuk vjen nga ndikimi apo mashtrimi i askujt, por nga bindja personale për situatën në vend. Ai i është drejtuar Ramës duke thënë se përdorimi i fotos së tij në këtë kontekst është i papranueshëm dhe se nuk duhet të shërbejë për të shmangur përgjegjësitë politike apo për të ndërtuar një narrativë të gabuar mbi protestat.

“Unë nuk jam aty sepse jam mashtruar, por sepse e di shumë mirë pse jam aty,” është shprehur ai, duke kërkuar që imazhi i tij të mos përdoret për qëllime politike.

Postimi i plotë:
Pergjigje e detyruar per Edi Ramen!
UNË NUK JAM TI!
Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde.
Unë nuk jam ti.
Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë.
Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve.
Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi.
Ti je.
Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt.
Ti nuk je viktima e halleve të mia.
Ti je autori i tyre.
Je autori i emigrimit të mijëra të rinjve që nuk panë më të ardhme në Shqipëri.
Je autori i padrejtësive që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre.
Je autori i arrogancës së një pushteti që nuk dëgjon më askënd përveç vetes.
Kur thua se ke frikë nga ata që mund t’i bëjnë keq Shqipërisë, harro një gjë:
Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e votës.
Nuk ka humnerë më të thellë se grabitja e pronës.
Nuk ka humnerë më të thellë se shkatërrimi i dinjitetit.
Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e së ardhmes së një brezi të tërë.
Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi.
Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat.
Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita.
Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë.
Sepse paguajnë faturat.
Sepse kërkojnë punë.
Sepse presin në spitale.
Sepse shohin fëmijët të largohen.
Sepse ndihen të huaj në vendin e tyre.
Dhe kur ti përpiqesh t’i paraqesësh si turmë të përdorur, nuk po i kupton.
Po i përçmon.
Fotografia ime në murin tënd më bën pis.
Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua.
Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua.
Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar.
Unë nuk jam ti.
Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush.
Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu.