Ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka folur për herë të parë në “Top Story” për akuzat e SPAK ndaj saj për abuzime me tenderat në institucionin që ajo drejtonte.

Ajo ka deklaruar se nuk pret që ta besojë njeri, pas të gjitha akuzave dhe pretendimeve që janë thënë për të.

“Transformimi digjital i AKSHI-t ka qenë për mua motiv jetësor”, kështu deklaroi gjatë fjalës së saj Karçanmaj, teksa shtoi se në institucionin që ajo ka drejtuar ka ndodhur një revolucion i jashtëzakonshëm.

“Unë nuk pres të më besojë njeri, aq më tepër pas gjithë atyre që kanë dëgjuar për mua. Por shpresoj të dëgjohet edhe kambana ime, kur i thuhet fjalës, të ndoqët një proces ligjor që nuk është i njëanshëm, në të cilën i akuzuari nuk presupozohet fajtor që në krye të herës. Unë i detyrohem dy fëmijëve të mi, familjes sime, të gjithë ata që kam punuar dhe më njohin, të them të vërtetën publikisht.

Në AKSH ka ndodhur një revolucion që është i jashtëzakonshëm. Ka ndryshuar mënyrën se si publiku dhe qytetarët marrin shërbimet. Vetëm në 4 vite të analizuara janë mbi 1700 vite të kursyera nga qytetarët dhe 1 mld kilometra që qytetarëve do t’u ishin dashur për të shkuar nga një zyrë në tjetrën.

Revolucioni publik i AKSHI-t është ajo që nuk e zhbën më askush edhe sikur të ketë të vërteta në ato që po hetohen. Transformimi digjital i AKSHI-t kanë qenë për mua motiv jetësor që më ka bërë për 12 vite rresh të dal në mëngjes për të shkuar në punë dhe për të ndalë nga atje në mbrëmje vonë.

Të thuash që janë fajtorë të gjithë ata që e kanë bërë Shqipërinë të ishte krenare, kjo sepse janë pjesë në AKSH, të thuash janë fajtorë ata që e kanë bërë Shqipërinë totalisht elektronike është totalisht…“, tha Karçanaj.

Gjykata e Lartë vendosi që të ndryshojë masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitjeje.