Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar publikisht pasi njoftoi se Departamenti Amerikan i Shtetit ka hequr kufizimet e udhëtimit ndaj tij dhe familjes së tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi vendimin si korrigjim të një padrejtësie të bërë nga administrata e mëparshme amerikane, duke deklaruar se tashmë ai dhe familjarët e tij nuk janë më të privuar nga e drejta për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara.

“Dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime”, shkruan Berisha, ndërsa falënderon administratën e presidentit Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për këtë vendim.

Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama dhe financierin George Soros se kanë ndikuar në shpalljen e tij “non grata”, pretendim që ai e ka përsëritur edhe më herët.

“Të dashur miq,

Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime.

Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros.

Unë falënderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptar dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagen time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.

Mirënjohje të veçantë dua t’u shpreh sot mbi gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, të cilët, në kushtet tejet të vështira të një autokracie elektorale dhe një narkoregjimi, votuan për mua dhe Partinë Demokratike.

Duke përfunduar, ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të vazhdojmë pa rreshtur përpjekjet tona për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë.”, shkruan Berisha.