MASH: Deri tani janë regjistruar 21 mijë studentë 


Ministria e Arsimit ka njoftuar dje një vendim të orëve të fundit. Për të gjithë studentët që nuk arritën dot të regjistroheshin në fakultetet ku kanë fituar të drejtën e studimit, është shtyrë afati edhe për 24 orë. Kështu, sot, sekretaritë e fakulteteve do të jenë të hapura për studentët që u regjistruan me gabime, ndërkohë që sistemi online do të jetë i disponueshëm 24 orë.


“Deri tani janë regjistruar 21 mijë studentë, nga 28 mijë që u shpallën fitues, por duke pasur parasysh edhe degët e papreferuara, numri i maturantëve që nuk u regjistruan është më pak se 28 mijë. Kemi shpallur 24 orë më shumë si afat të dytë të regjistrimit për të gjithë studentët që u shpallën fitues në fazën e parë”, deklaroi zyrtarisht Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.


Pas mbledhjes së të dhënave dhe përcaktimit të vendeve vakante, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të bëjë edhe rishpërndarjen e vendeve bosh, duke u dhënë mundësinë maturantëve të tjerë të shpallen fitues në një nga degët ku aplikuan.