Elbasan
Mijëra studentë e qytetarë të Elbasanit morën pjesë gjatë paradites së djeshme në homazhet e zhvilluara në ambientet e universitetit “Aleksandër Xhuvani” për 11 studentet e degës Gjuhë-Letërsi, të cilat humbën jetën në aksidentin tragjik të së hënës. Në homazhe me studentët e qytetarët u bashkuan dje edhe krerët më të lartë të shtetit, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe pushtetarë vendorë, të cilët u shprehën ngushëllimet familjarëve për humbjet e njerëzve më të dashur të tyre. Përfaqësues të partive politike dhe institucioneve qendrore e vendore zhvilluan dje vizita edhe në familjet e viktimave të aksidentit të rëndë.
Fotolajm
Një pedagog i Universitetit “Aleksanër Xhuvani” në Elbasan ka vendosur një tufë me lule në një prej sallave ku zhvillonin mësim studentët e Gjuhë-Letërsisë. Buqeta shkon në emër të Dorina Stafës, vajzës nga Kruja, e cila humbi jetën në aksidentin tragjik të së hënës. Pedagogu në fjalë, e ka pasur Stafën nxënëse edhe në shkollën e mesme. Ai e ka cilësuar 22-vjeçaren si vajzën që kishte buzëqeshjen më të bukur në botë.
