Shkolla private nuk do të vijojë më programet e arsimit të lartë dhe master për 2013-n

Universiteti “Kristal” nuk do të pranojë më asnjë student duke nisur nga viti i ri akademik. Në këtë institucion privat të arsimit të lartë nuk do të zhvillohen më as programet e ciklit të dytë të studimeve për specializimet pasuniversitare apo master. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për heqjen e licencës këtij universiteti. Institucioni i arsimit të lartë privat “Kristal” për një vit do të kontrollohet e inspektohet dhe gjatë kësaj kohe nuk do të bëhet asnjë regjistrim. Studentët që po ndjekin aktualisht ciklet e studimit të lartë ose pasuniversitare sipas vendimit do të vijojnë normalisht studimet dhe do të marrin diplomën sipas kohës dhe procedurave të planifikuara në fillim të vitit akademik.
Gjatë periudhës së pezullimit, ministria do të marrë masat për inspektimin periodik, çdo 3 muaj
Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Arsimit kanë bërë publik vendimin e miratuar dje në qeveri, i cili do të hyjë në zbatim menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin: “Pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të licencës të shkollës së lartë universitare jopublike Universiteti “Kristal” për të gjitha programet në të dyja ciklet e studimit, që ofron ky institucion i arsimit të lartë. Sipas këtij vendimi, shkolla e lartë universitare jopublike Universiteti “Kristal”, gjatë periudhës së pezullimit, nuk pranon studentë të rinj në asnjë nga programet e studimit që ajo ofron. Periudha e pezullimit të licencës së këtij institucioni të arsimit të lartë zgjat për 1 (një) vit, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Universiteti ndërmerr masat e duhura që studentët e regjistruar pranë këtij institucioni të vijojnë apo të përfundojnë studimet në programet përkatëse, sipas kohëzgjatjes normale. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjatë periudhës së pezullimit, merr masat për ushtrimin e inspektimit periodik, çdo 3 muaj, në këtë institucion, për përmirësimet e bëra në përmbushjen e standardeve shtetërore të cilësisë”, thuhet në vendimin e qeverisë. Sipas direktivave të propozuara nga Ministria e Arsimit në përfundim të periudhës së pezullimit të licencës, Universiteti “Kristal”, i nënshtrohet akreditimit institucional sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi. Më pas, në përfundim dhe në varësi të rezultatit të procesit të akreditimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës propozon masat përkatëse për këtë institucion të arsimit të lartë.
Vendimi për pezullimin e licencës së universitetit erdhi pak ditë pas diskutimeve në Komisionin e Medias dhe Arsimit. Ndërsa anëtarët e komisionit prisnin ministrin në një seancë referuese, në qeveri ishte dërguar drafti i pezullimit të institucionit.
Ngjarja
Pas denoncimit të skandalit të mediave italiane të diplomës së djalit të Umberto Bossi-t, firmosur në Universitetin “Kristal”, pa qenë në Shqipëri dhe duke shlyer provimet e tre viteve në një vit, Ministria e Arsimit ka deklaruar se një grup inspektorësh ka nisur punën për kontrollimin e disa universiteteve private, mes tyre edhe “Kristalin”. Sipas MASH-it, një grup monitorimi i Ministrisë dhe Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë po inspekton në të gjitha institucionet e arsimit të lartë privat, për zbatimin e ligjshmërisë dhe standardeve, sipas një kalendari të miratuar kohë më parë. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka bërë të ditur se një grup ekspertësh dhe inspektorësh do të përfshihen në kontrolle dhe verifikime të detajuara. Pjesë e supervizimit për këta ekspertë do të jenë universitetet private në të gjithë vendin, ku prioritetin kryesor të kontrollit do ta kenë diplomat, dokumenti kryesor që certifikon dijet e studentëve në arsimin e lartë.
Inspektimi: Një grup monitorimi i Ministrisë dhe Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë po inspekton në të gjitha institucionet e arsimit të lartë privat
Vlerësimi i universitetit, sipas kompanisë gjermane “CHE”, Qendra për Zhvillimin e Arsimit të Lartë, që u kujdes për renditjen e universiteteve, raporti i korrikut 2011
Raporti: Universiteti “Kristal”, kualifikimi i personelit u konsiderua mesatar. Çështje të veçanta të mësimdhënies janë vlerësuar me “mirë”
Vlerësime: Sipërfaqja e metrave katrorë për student ishte konsideruar mesatar. Ndërkohë që nuk janë dhënë vlerësime për raportin student-pedagog. Ngarkesa mësimore u vlerësua “mirë”
Diplomat: Treguesi i punësimit është referuar mesatar. Orientimi ndërkombëtar është vlerësuar mesatar. Janë diplomuar brenda afatit një përqindje mesatare