Në degët me shumë kuota, rritet numri i pranimeve edhe në rast kur janë të kërkuara
Lorina Mixha
Maturantët që nuk u shpallën fitues në asnjë nga universitetet e vendit, apo nuk preferojnë degën ku fituan të drejtën e studimit, mund të studiojnë në sistemin e korrespondencës. Edhe në këtë sistem, të njohur si part-time apo me kohë të pjesshme, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave kuotat do të rishpërndahen, në këtë mënyrë rritet mundësia për të pranuar më shumë studentë.
Por nga viti në vit, universitetet dhe fakultetet e vendit bëjnë përllogaritjet për të orientuar kandidatët për student që të konkurrojnë në degët ku kanë më shumë probabilitet për të fituar, në sistemin part-time.
Për të gjithë ata studentë që kanë mesatare të lartë, mundësitë për të fituar janë kudo. Por, kryesisht, nxënësit me mesatare të lartë, të cilët konkurrojnë në part-time janë ata që nuk kanë fituar në sistemin e ditës apo për shkak të pamundësive të tjera nuk janë regjistruar në part-time apo me kohë të plotë vitet e kaluara. Kështu me mesatare mbi 9 mund të fitosh degët me më pak kuota, por tepër të kërkuara siç është juridiku, apo shkencat shoqërore.
Me këtë mesatare mund të fitosh edhe nëndegët e ekonomikut, si financë apo kontabilitet në Fakultetin e Ekonomisë.
Mesatarja mbi 7 e deri në 8 është e kërkuar për të fituar një të drejtë studimi në degët histori, gjeografi, gjuhë-letërsi apo mësuesi. Por në këto degë nga viti në vit kuotat kanë ardhur duke u rritur, në këtë mënyrë fituesit janë shpallur edhe me mesatare më të ulët për shkak të kuotave të larta dhe numrit jo tepër të lartë të aplikuesve, krahasuar me të drejtat e studimit të vendosura në dispozicion.
Nxënësit me mesatare të ulët, edhe pse mund të duket çudi janë më të predispozuar për të fituar në degët e shkencave të natyrës, si matematikë, fizikë apo kimi. Duke qenë se në këto fakultete ka rënë kërkesa për studime, atëherë edhe studentët më të dobët të cilët duan me patjetër një diplomë universitare kanë më shumë mundësi për të fituar. Më pas, nëse arrijnë të marrin provimet dhe të klasifikohen nga njëri vit në tjetrin, është një rrezik që duhet ta mendojnë ata vetë.
Në Fakultetin Ekonomik, mesatarja e kërkuar është nga mbi 7.5 deri në pikët më të larta, kjo varet nga pikët e klasifikimeve të para, në varësi të mesatareve të konkurrentëve që shpallen fituesit e parë.
Regjistrimet në sistemin part-time mbyllen më datë 10 tetor. Menjëherë pas çeljes së regjistrimeve dhe mbylljes së fazës së parë, sekretaritë e universiteteve rishpërndajnë kuotat duke hapur fazën e dytë të regjistrimeve. Nëse ka ende kuota të paplotësuara pas kësaj faze, me vendim të universiteteve përcaktohet nëse do të ketë rishpërndarje të tjera të kuotave të mbetura bosh.
Të dhëna
Shkencat e Natyrës – Në këto degë kanë më shumë mundësi për të fituar nxënësit e dobët me mesatare jo shumë të lartë, për shkak të numrit të ulët të kërkesave
Juridiku – Në degën e Juridikut shpallen fitues nxënësit me mesatare më të lartë dhe kriteri është bazë, duke qenë se ka shumë kërkesa dhe pak kuota
Shkencat Sociale – Në Shkencat Sociale, mesatarja për të fituar kërkohet mbi 7. Kuotat nuk janë të pakta, megjithatë kërkesat janë të shumta jo vetëm në Tiranë
Histori-Filologji – Në degët gjuhë-letërsi, histori-gjeografi, nga viti në vit janë rritur kuotat e pranimeve. Mesatarja e kërkuar ka ardhur duke u ulur në mbi 6.5.