Në një çështje që po hetohet nga prokuroria për shkelje në fushën e ndërtimit dhe dyshime për devijim të lejes, gjykata ka caktuar masa sigurie ndaj disa ndërtuesve të përfshirë në rast.
Sipas vendimit, masat e “arrest në burg” janë vendosur për Mirsim Jellën, Ferdinand Shtëmbarin dhe Fiqiri Likën, ndërsa për Adriatik Shtëmbarin është caktuar masa “detyrim paraqitje”.
Hetimet po zhvillohen paralelisht ndaj zyrtarëve të IMT dhe IKMT, për të zbardhur se si është lejuar shtimi i dy kateve të tjera në një pallat pranë rrugës “Llukë Kacaj”, i cili fillimisht kishte leje për 9 kate dhe dy kate nëntokë.
Sipas dosjes hetimore, ndërtimi ka vijuar për një periudhë të gjatë pa ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, pavarësisht shkeljeve të dukshme në terren. Prokuroria përmend gjithashtu një raport të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ku disa efektivë kanë deklaruar se nuk kanë pasur informacion për tejkalimin e lejes së ndërtimit.
Hetimet e kryera nga prokurorja Elsa Kareçi theksojnë se gjatë procesit janë marrë edhe masa administrative nga institucionet përkatëse, ndërsa si prova janë administruar kontrata, dëshmi dhe dokumente financiare. Nga ana e tyre, të dyshuarit kanë mohuar akuzat.
