Dita e nesërme duket se do të jetë më e keqe se sa e sotmja dhe e ardhmja më e pashpresë


Dëshpërimi për ushqim po rritet në shumë pjesë të Sirisë ku luftimet e ashpra apo përplasjet mes grupimeve të ndryshme në luftën civile janë bërë pjesë e përpjekjes së përditshme për të siguruar një copë bukë, raporton “Reuters”.


Kushtet e jetesës janë veçanërisht të vështira në qytetin verior të Alepos, ku civilët po vuajnë përplasjet e vazhdueshme mes qeverisë dhe opozitës, si dhe me bombardimet e qeverisë në lagjet e kontrolluara nga rebelët. Tashmë uria është kërcënimi më i madh për mbijetesën e një pjese të madhe të popullatës në konfliktin 20-mujor kundër Presidentit Bashar al-Assad.


“Unë dola nga shtëpia dje dhe nuk arrita të gjej bukë. Sikur të mos mjaftonte mungesa e ushqimeve – ka gjithashtu mungesë energjie, të cilën furrat e bukës e kanë të domosdoshme”, thotë Ahmed, një banor i lagjes “Salahedine” në Alepo.


“Disa ditë më parë, punëtorët e furrës së bukës nuk kishin energji kështu që u përpoqën të shesin pako mielli”, tha ai. “Njerëzit filluan të përleshen me grushte për miellin. Në disa raste, rebelët hapin zjarr në ajër për të ndalur përleshjet për bukë”.


Ndërsa rebelët i janë afruar Damaskut dhe shtetet perëndimore e ato arabe po mbështesin koalicionin qeverisës, Siria duket pranë një pike kritike në konflikt. Një diplomat i lartë i Rusisë, mbështetësi kryesor i Assad, pranoi këtë javë se armiqtë e udhëheqësit të Sirisë po fitonin terren dhe se mund të fitonin edhe luftën.


Por dhuna vijon të shkaktojë vuajtje të tmerrshme, ku të vrarët arrijnë në mbi 100 çdo ditë e në disa raste, edhe 200. Më shumë se 40 mijë vetë kanë vdekur gjatë 20 muajve të fundit nga luftimet.


Programi Botëror i Ushqimit, një zyrë e OKB-së në ndihmë të të varfërve, thotë se deri në 1 milion njerëz në Siri mund të mbeten pa ushqimet bazë këtë vit, ndërsa ashpërsimi i luftimeve e bën më të vështirë dërgimin e ndihmave në zonat e konfliktit.


Njerëzit në Nevojë (PIN), një grup çek ndihmash që vepron në Sirinë e Veriut, thotë se kriza mund të përkeqësohet në rast se asnjë grup tjetër ndërkombëtar nuk është në gjendje të shpërndajë ushqime në zonë. PIN vlerëson se vetëm 1 deri në 2 milionë njerëz janë ende në Alepo nga 4 milionë që ishin para lufte. Qindra mijëra hasin mungesën e bukës vetëm në Alepo, tha Michal Przedlacki nga kjo organizatë.


“Ishte sakaq keq kur unë fillova punë në Alepo një muaj më parë, por asgjë nuk ka qenë kaq keq sa këtë javë. Kam parë se situata është përkeqësuar – më shumë njerëz duken të dobësuar dhe të pashpresë, mund të dallosh trishtimin në sytë e tyre”, i tha ai “Reuters” përmes “Skype”.


Ndërsa dimri ka mbërritur, e nesërmja duket më e keqe se sa e djeshmja dhe e ardhmja duket gjithnjë e më e pashpresë në zonat e luftës, veçanërisht në zonat nën kontrollin e rebelëve, ku rezidentët thonë se mielli i subvencionuar nga shteti si dhe karburanti që nevojitet për të pjekur bukën apo për ngrohje, nuk po mbërrijnë më.


Më shumë se 2.5 milionë njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre për të gjetur zona më të sigurta brenda Sirisë, ndërsa më shumë se gjysmë milion janë regjistruar si refugjatë lufte jashtë vendit.


Shumë sirianë të tjerë janë pa punë dhe shpesh i duhet të zgjedhin mes blerjes së energjisë për ngrohje apo blerjes së bukës. Disa familje kanë përdorur sakaq pemët që mund të gjejnë apo edhe mobiliet për dru zjarri. Radhët për të blerë bukë zgjasin për shumë orë. Një javë më parë, banorët e një lagjeje nën kontrollin e rebelëve në Alepo filluan të mbajnë radhën në orën 2:00 të natës te një furrë buke që pritej të hapej tetë orë më vonë. Przedlacki thotë se në një rast, njerëzit u përgatitën të presin 12 orë radhë për bukë.


“Njerëzit shpesh rrezikojnë jetën, ndërsa përpiqen të vrapojnë nëpër rrugët e përfshira nga luftimet për të kapur një pako ushqime nga ne”, thotë ai. Organizata Botërore e Ushqimit thotë se është detyruar të zvogëlojë përmasat e racioneve të veta të ushqimeve për shkak të mungesës së fondeve. Deri në nëntor, 1.5 milionë njerëz kishin nevojë për ushqime, ndërsa tashmë janë 2.5 milionë.