Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka uruar Kryeministrin Edi Rama për fitoren e thellë në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj në Shqipëri.

Në një postim në platformën “X” , Orban e cilësoi rezultatin si një “fitore dërrmuese” dhe shprehu entuziazmin për takimin me Ramën këtë të premte në Tiranë, ku do të mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian (EPC).

“Urime Kryeministrit Edi Rama për fitoren e tij dërrmuese në zgjedhjet parlamentare shqiptare.
I dashur Edi, mezi pres t’ju shoh këtë të premte në Tiranë në atë që mund të rezultojë të jetë një Samit historik i Komunitetit Politik Europian (EPC)”, shkroi Orban.

Samiti i EPC-së pritet të mbledhë në Tiranë liderë nga e gjithë Europa për të diskutuar çështje të sigurisë, integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal. Vizita e Orbanit në Shqipëri vjen në kuadër të takimeve të nivelit të lartë me liderë të rajonit.