Urdhri i Farmacistit
Jaupllari: Skandal në QSUT, tenderohen medikamente në prag skadence
Shpresa Mezini
Problemet që prekin sistemin shëndetësor në vend janë diskutuar dhe vazhdojnë të diskutohen çdo ditë e më shumë. Ndonëse herë pas here janë përmendur disa nga progreset që Ministria e Shëndetësisë ka bërë në këtë drejtim, vërehet se ka ende një sërë problemesh, që duken sikur na kthejnë në kohë disa vite mbrapa.
Mungesa e medikamenteve, tenderimi i disa prej tyre apo datat e skadencës janë tri problemet kyçe që ndeshen sot në disa spitale të vendit. Të paktën kështu pohon kreu i Urdhrit të Farmacistit, Arjan Jaupllari, i cili thotë se spitalet blejnë alternativat më të kushtueshme, në një kohë kur barnat më të nevojshme mungojnë, ndërsa shton se tenderimi i ilaçeve bëhet në mënyrë abuzive.
Jaupllari raporton rastin e blerjes së një prej llojeve të antibiotikut në Spitalin Ushtarak, i cili është tri herë më i kushtueshëm se alternativat e tjera. Madje, ai thekson se në Shqipëri tenderohen edhe ilaçe, që janë në prag skadence.
“Po të marr rastin nëse kompanitë farmaceutike afrohen dhe sjellin një bar, i cili ka një skadencë 3-mujore, që në vendet e tjera këtë bar e marrin për ta eliminuar, ky bar te ne vjen dhe tenderohet në spital. Po përmend ilaçin me emrin Tazobactamin. Shkoni në Spitalin Ushtarak dhe shikoni se sa Tazobactam është tenderuar dhe sa është shitur. Në vend që pacienti të merret me Ampicilinën, me antibiotikët e serisë së parë, kalon në antibiotikët e serisë së tretë dhe e dini se sa është çmimi? 100 herë më i lartë se sa ato”, sqaroi kreu i Urdhrit të Farmacistit. Jaupllari sugjeron që me tenderët e medikamenteve të spitaleve të merret një qendër e vetme, e cila do të ketë të drejtën për të bërë shpërndarjen e tyre sipas nevojave të spitaleve. “Kjo formë menaxhimi është përdorur në vitin 2005. Në atë kohë, edhe pse buxheti ishte tri herë më i ulët, në spitale nuk mungonin ilaçet”, pohoi kreu i Urdhrit të Farmacistëve në vend.
Tashmë nuk është gjë e re të thuash se në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, mungojnë pothuajse të gjitha barnat. Madje, në QSUT mungojnë edhe ilaçet që mund të quhen bazë, siç mund të përmendim pambukun, shiringat, fashat, dorezat, mungesa e të cilave vihet re pothuajse në të gjitha pavijonet e këtij institucioni shëndetësor. Pacientët e kësaj qendre prej kohësh vuajnë mungesën e ilaçeve, parashikim që hedh dyshime se fundi i kësaj historie do të jetë i largët. Ky fakt vërtetohet nga vetë pacientët, të cilët i sheh në çdo kohë të rendin drejt farmacive më të afërta të këtij spitali, me receta në duar. Panoramë kjo e zakonshme, që e shikon pothuajse kurdoherë, ndonëse zyrtarisht thuhet se kompanitë farmaceutike e kanë përfunduar furnizimin e QSUT-së. Në pjesën më të madhe të pavijoneve, pacientët ankohen se janë të detyruar që t’i blenë vetë ilaçet. E tillë është deklarata e një zonje, e cila ka shkuar për të vizituar babanë e saj, që është shtruar në spitalin e onkologjikut, ku mungojnë disa prej medikamenteve të kimioterapisë. “Që kur kam shtruar babanë në këtë spital, jam detyruar të blej jo vetëm ilaçet për kimioterapinë, por edhe shiringat e dorezat”, tha Lulzime Rexha, banore e Tiranës.
Raportimi
Spitali Ushtarak blen një prej llojeve të antibiotikut, i cili është tri herë më i kushtueshëm se alternativat e tjera
Deklarata
Në spitalet e vendit tonë tenderohen edhe ilaçe që janë në prag skadence, që në vendet e tjera ato i marrin për t’i eliminuar
Situata
Në QSUT mungojnë edhe ilaçet që mund të quhen bazë, siç mund të përmendim pambukun, shiringat, fashat dhe dorezat