Fiks Fare ka bërë një investigim brenda institucioneve shtetërore, mbi pushtetin e Belinda Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë edhe pse është shkarkuar nga funksionet publike.

Fiks Fare hyri në disa prej këtyre institucioneve, u prezantua si punëkërkuese dhe bisedoi drejtpërdrejt me titullarët.

Dhe në këto biseda, emri i Belinda Ballukut del përsëri në qendër: si “shefe”, si person që mund të ndikojë në emërime, në punësime dhe në vendimmarrje.

Fiks Fare solli dëshmi, biseda dhe përballje direkte me Belinda Ballukun.

“Nëse Bela e çon emrin…”

Investigimi nis në Autoritetin e Aviacionit Civil, ku gazetarja e Fiks Fare kontakton drejtorin Maksim Et’hemaj, duke shprehur interes për një vend pune në sektorin e medias. Gjatë bisedës, Et’hemaj flet për punonjësen aktuale të medias dhe e lidh atë me Belinda Ballukun.

Sipas tij, nëse ajo do të zëvendësohej dhe në vend të saj do të vinte një person tjetër, kjo do të ishte thjesht çështje emrash, duke lënë të kuptohet se një propozim nga Balluku do të merrej në konsideratë. Por pse do të kishte rëndësi sot një emër i propozuar nga një ish-ministre?

“Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja”

Fiksi shkon më tej, në Inspektoratin Shtetëror Teknik dhe Industrial. Edhe këtu skenari është i njëjtë: kërkesë për punësim. Drejtori Sokol Zajmi shprehet:

“Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja.” Më pas ai përdor edhe një tjetër shprehje: “Ushtarët zëvendësohen kollaj, po mbretëresha nuk zëvendësohet dot.” Por kush është “shefja” dhe kush është “mbretëresha”? Në kontekstin e bisedës së regjistruar nga Fiks Fare, referenca lidhet me Belinda Ballukun.

Top Channel