Në mbyllje të vitit 2025, Rama zhvilloi mesditën e sotme në Kryeministri konferencën e fundvitit në praninë e gazetarëve. Kryeministri Edi Rama deklaroi se mbrojtja ka hyrë në një fazë të re, duke e cilësuar këtë vit si vitin e rilindjes së forcës ushtarake dhe të hedhjes së themeleve të industrisë shqiptare të mbrojtjes. Ai theksoi rritjen e numrit të rekrutëve, investimet në paga, pajisje dhe prodhimin vendas të uniformave, mjeteve ushtarake dhe dronëve, me prodhimet e para që priten në vitin 2026.

“Mbrojtja ka hyrë në një fazë të re pas kontekstit të ri gjeopolitik. Ky vit ka qenë viti i rilindjes së forcës ushtarake. Të gjitha vendet kanë nevojë të kenë bazën e tyre industriale, dhe Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë. Kemi parë me pozitivitet të madh edhe një tendencë në rritje të të rinjve ndaj FA, ku objektivi është të rriten forcat me 30 për qind. Janë 731 rekrutë të rinj që i janë bashkuar FA. Ushtria më e mirëpaguar në rajon është në vendin tonë dhe do të vazhdojmë të rrisim mbështetjen me paga të ushtarakëve, sepse ambicia jonë është që të arrijmë në mesataren e vendeve të NATO-s.

Ky vit na gjen me një sistem raketor Gjiagelin, me tre anije patrulluese që i kemi dhuratë nga simotra Italia, na gjen me radarë falë bashkëpunimit me Francën. Ajo që mbetet ambicia kryesore, është Shqipëria një vend prodhues i kapaciteteve ushtarake ku dhe të eksportojë. Ky vit është historik sepse janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes.

Më në fund do të prodhojmë uniformat në vendin tonë, ku vendi ynë do të jetë pikë referimi për të prodhuar për vendet e tjera. Ushtria suedeze qep një pjesë të uniformave të veta në Shqipëri. Do të prodhojmë mjete të blinduara dhe të emergjencës civile, autoambulanca, mjete patrullimi, do të prodhojmë drone luftarakë dhe sisteme antidronë. Porositë e para janë kryer dhe në 2026 do të shihni prodhimet e para.”