Ervin Salianji ka reaguar pas deklaratës së kreut të opozitës pak pas mbylljes së Kuvendit të PD ditën e sotme. Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Salianji shkruan se, uzurpatori ka shqetësim cilindo që e do Partinë Demokratike fituese, duke shtuar se, e shqetësojnë në rehatinë e tij të bashkëqeverisjes me Ramën. Salianji e cilësoi deklartaët e Berish si ‘mungesë e demokracisë’.
“Uzurpatori ka shqetësim cilindo që e do Partinë Demokratike fituese, për uzurpatorin ata janë problemi, e shqetësojnë në rehatinë e tij të bashkëqeverisjes me Ramën. Problemi sot është mentaliteti që kërkon bindje të verbër, përjashtim dhe frikë në vend të garës, debatit dhe meritës.
Deklarata e Sali Berishës se ‘kushdo që bashkëpunon me Salianjin s’ka punë me PD’ është dëshmia e qartë se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mungesa e demokracisë. Për mbështetje nuk pati guxim te përballeshim në garë! Një parti politike nuk mund të funksionojë si pronë personale e askujt. Në një parti demokratike nuk përjashtohen njerëzit sepse mendojnë ndryshe, nuk shpallen armiq ata që bashkëpunojnë me kolegët e tyre dhe nuk vendoset besnikëria ndaj individit mbi interesin e partisë.
Demokratët nuk kanë nevojë për lista armiqsh, por për një projekt fitues që bashkon dhe jo përçan. PD nuk do të bëhet shumicë duke përjashtuar demokratët. PD bëhet shumicë duke i bashkuar ata. Kjo është beteja dhe ne nuk do ti shmangemi deri në fund!”– shkruan Salianji.

