Gazetarja Anila Hoxha ka dhënë detaje të reja në lidhje me rastin shokues të ndodhur në Dibër, ku një efektiv policie 24-vjeçar akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një 18-vjeçare.

Sipas gazetares, e mitura ka dëshmuar që efektivi e ka kërcënuar duke i thënë se kishte foto intime të sajat dhe do e publikonte. Paraprakisht, dyshohet se imazhet mund të jenë të manipuluara me inteligjencë artificiale. Abuzimi ka ndodhur pasi vajza është takuar me efektivin.

“Vajza është 18 vjeç, kishte një muaj që i kishte mbushur, ishte gjimnaziste. Efektivi i është prezantuar si shef krimesh. Ai e ka kërcënuar me disa foto, që dyshohet se mund të jenë manipuluar edhe me inteligjencë artificiale. Pas kësaj, ajo ka dalë me të motrën, është shkëputur dhe ka hipur në makinën e efektivit. Në këtë moment ka ndodhur abuzimi sipas vajzës, por që ka një përplasje për vendin se ku ka ndodhur. Pas kësaj, vajza i ka treguar historinë nënës dhe kjo e fundit ka bërë që të kryhej denoncimi pasi vajza ishte në gjendje të rënduar dhe e frikësuar. Pas denoncimit, efektivi është arratisur drejt Kosovës. Makina ku ka ndodhur abuzimi, mjeti personal i efektivit është gjetur në shtëpinë e kunatit të tij dhe ky i fundit është nën hetim. Ai dyshohet se mund të ketë ndihmuar edhe në arratisjen. Edhe nëna e efektivit është nën hetim sepse pasi ka marrë njoftim për denoncimin, ka kërcënuar vajzën dhe nënën në banesën e tyre”– tha gazetarja.