Jemi në fshatin Studenicë të Suharekës. I jemi drejtuar shtëpisë së Enver Lipajt, që na pret me zonjën e tij. Ata kanë humbur dy vajzat e tyre, Qëndresën, 15 vjeçare dhe Miridonën, 13 vjeçare. Ashtu si në rastet e tjera, forcat serbe treguan se çfarë ishin në gjendje të bënin ndaj shqiptarëve të pafajshëm…

“Vrasja ndaj 9 anëtarëve të familjes Lipaj dhe Zeqiraj, babai i gruas. Është masakra më e rëndë dhe gjenocid që kanë bërë ndaj popullsisë civile të pambrojtur… Janë vrasje të rënda, krim i rëndë. Me datë 10 prill të ’99, familjarët e mi janë shpërngulur dhe është shpërngulur i gjithë fshati”, u shpreh Enver Lipaj, familjar i viktimave.

Forcat serbe kanë depërtuar edhe në fshat ku familja pretendonte se do të gjente qetësi, por qëllimi i serbëve ishte shfarosja…

“Më 12 prill në mbrëmje djali i xhaxhait ka ardhur dhe na ka thënë se duhet të largohemi. Ka sjellë traktorin për të marrë prindërit. Kemi shkuar në lagjen Cakutaj, 4 km më lart se shtëpia e babait tim, ata pak më në mal. Aty jemi futur në një stallë lopësh. Të gjithë sipas mundësive. Ka ora 6, Qëndresa tha se nëna Salë do të shkojë në shtëpi dhe unë do të shkoj dhe Njomëza dhe Lindihana, dhe vajza ime e vogël, kur pa se ata janë duke shkuar më tha, nënë pse i ke lënë ata, kështu që shkoi edhe ajo dhe thanë po shkojmë e përgatisim bukë…”, u shpreh Enver Lipaj, familjar i viktimave.

Nevoja për ushqyerje detyroi anëtarët e familjes Lipaj të riktheheshin në banesë. Rrëfimet e mëposhtme janë tepër të dhimbshme, por shumë të rëndësishme për të kuptuar dhe mos harruar.

“Kanë filluar të pjekin bukët, i kanë shtrirë, bukën e fundit, djali Liridonin bashkë me një djalë tjetër kanë shkuar, hajdeni vajza të ikim, s’mund të vij nana Salë do të pjekë edhe një bukë, sa të piqet do të vijmë… Ajo bukë ka qenë sakrifica, ajo ka mbetur në shporet, është gjetur buka… Ata kanë menduar se ka shtab. Më pas shtëpia është rrethuar dhe kanë nisur gjuajtjet. Ata janë futur në podrum. Serbët kanë hyrë me plumba, janë futur edhe në bodrum i kanë gjetur dhe i kanë nxjerrë jashtë. Aty ka qenë edhe tmerri”, u shpreh Enver Lipaj, familjar i viktimave.

Në tentativën për të shpëtuar nga sulmet, Rrahimja largohet më pas nga vendi ku ishin dhe takohet me Enverin. Ky i fundit e pyet nëse janë të gjithë dhe bashkëshortja e tij i tregon për mungesën e vajzave. Sapo mori lajmin, Enveri kishte parandjenja se do të kishte ndodhur më e keqja.

“Ky u bë nervoz sepse e parandjente se diçka e keqe kishte ndodhur. Se kishte dëgjuar krisma dhe tha më pas ikni ju”, u shpreh Enver Lipaj, familjar i viktimave.

Enver Lipaj ishte ushtar i UÇK-së. Ai kishte qëndruar sërish pranë fshatit për shkak të luftimeve me forcat ushtarake serbe.

“Ata kishin djegur dhe vrarë gjithçka u dilte para. E dija se nëse kishin mbetur mbrapa mund të ishin vrarë dhe ashtu doli. Ata kanë bërë masakër ndaj popullatës civile të pambrojtur, ndaj fëmijëve, ndaj grave dhe ndaj pleqve”, Lipaj.