Këshilli i Emërimeve në Drejtësi intervistoi sot kandidatët për të plotësuar vakancën në Gjykatën Kushtetuese për të zëvendësuar Holta Zaçajn. KED zhvilloi intervistat dhe testimin e gjuhës së huaj me kandidatët që kanë kaluar me sukses procesin e vlerësimit të kushteve ligjore.

Nga ana tjetër, kandidatët që synojnë të bëhen pjesë e Gjykatës Kushtetuese, prezantuan platformat e tyre. Ndërkohë që ditën e nesërme do të vijojë sërish puna e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të dhënë pikët e kandidatëve. Në këtë garë janë 6 kandidatë 6 nga 13 kandidatët që aspiruan të bëheshin gjyqtarë Kushtetues.

Ata janë juristët, ish-anëtari i KLGJ-së, Alban Toro, ish-komisionerja e vettingut, Alma Faskaj, gjyqtari i lartë, Asim Vokshi, ish-komisioneri publik, Florian Ballhysa, ish-kryetarja e komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Bungo dhe ish-kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami. Pasi KED të bëjë renditjen e pikëve për secilin prej kandidatëve, lista do t’i përcillet Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit, si organ emërtese, është e detyruar të zgjedhë si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, një nga tre emrat që ka marrë më shumë pikë nga KED.

Njoftimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe atyre zëvendësues, si dhe të përfaqësuesve të ftuar në përputhje me pikën 2 të nenit 233 të Ligjit nr. 115/2016, zhvilloi të martën, më datë 16.09.2025, mbledhjen e radhës, në bazë të rendit të ditës të publikuar në njoftimin zyrtar të datës 11.09.2025.

Gjatë kësaj mbledhje, Këshilli zhvilloi intervistat dhe testimin e njohurive të gjuhës së huaj me kandidatët që kanë kaluar me sukses procesin e vlerësimit të kushteve ligjore dhe që vijojnë garën për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Kandidatët prezantuan platformat e tyre të kandidimit, duke paraqitur qasjen e tyre mbi rolin e një gjyqtari kushtetues dhe prioritetet në ushtrimin e këtij funksioni të rëndësishëm. Gjithashtu, ata iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të KED-së, të fokusuara në përvojën e tyre profesionale dhe vizionin për rolin e ardhshëm si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli do të vijojë të mërkurën, datë 17.09.2025 me procesin e pikëzimit, i cili do të kryhet në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore në fuqi.