Gjykata e Lartë pritet të zgjedhë anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese më 30 Shtator. Mësohet se mbledhja e Posaçme do të zhvillohet në orën 09:00, për të plotësuar vakancën e krijuar nga përfundimi i mandatit të Holta Zaçajt.

Vendimi u mor pas depozitimit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi më 23 Shtator 2025 në Gjykatën e Lartë, të raportit dhe të listës së renditjes së kandidatëve që kanë konkurruar për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftimi nga Gjykata e Lartë:

Gjykata e Lartë njofton se, pas depozitimit në datën 23.09.2025 nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) të raportit dhe listës së renditjes së kandidatëve për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, vend i shpallur nga Gjykata e Lartë në datë 11.12.2024, ka ndërmarrë hapin e radhës në këtë proces institucional.

Në mbështetje të dispozitave ligjore dhe rregullores përkatëse, Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Mbledhja do të zhvillohet më 30 shtator 2025, ora 09:00, pranë ambienteve të Gjykatës së Lartë, me qëllim zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.