Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka verifikuar dokumentacionin e kandidatëve në garën për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. KED ka lejuar kandidimin e Naureda Llagamit dhe Jordan Dacit, ndërsa ka ndaluar kandidimin e ish-komisionerit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Lulzim Hamitajt. Sipas njoftimit, kandidaturat e tjera nuk janë marrë ende në shqyrtim.

Dy vakancat në Gjykatën Kushtetuese u krijuan pas dorëheqjes së Elsa Toskës në shtator 2024 dhe përfundimit të mandatit të Sonila Bejtës në tetor 2025. Për vendin e Toskës janë 9 kandidatë, ndërsa për atë të Bejtës janë 10. Pas vlerësimit dhe renditjes së kandidaturave, KED do t’ua përcjellë listën institucioneve përkatëse, zëvendësuesi i Toskës do të zgjidhet nga Kuvendi, ndërsa ai i Bejtës nga Presidenti. Procesi i plotësimit të dy vendeve vakante i ka tejkaluar afatet e përcaktuara ligjore.

Njoftimi i KED:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe të përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, zhvilloi ditën e hënë, datë 21.09.2026, mbledhjen e radhës, sipas rendit të ditës të bërë publik në njoftimin e datës 16.09.2026.

KED, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave si edhe dokumentacionin e përgatitur nga relatorët lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidatët, vendosi: Në lidhje me kandidaturën e z. Roland Ilia, KED shtyu diskutimin, për të kërkuar dokumentacion sqarues lidhur me vlerësimin e kandidatit.

Lejimin e kandidimit të zj. Naureda Llagami, e cila ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më datën 31.10.2025.

Lejimin e kandidimit të zj. Naureda Llagami, e cila ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datën 10.12.2025.

Lejimin e kandidimit të z. Jordan Daci, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datën 10.12.2025.

Lejimin e kandidimit të z. Jordan Daci, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më datën 31.10.2025.

Ndalimin e kandidimit të z. Lulzim Hamitaj, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datën 10.12.2025. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë se 5 ditë nga dita e njoftimit të arsyetuar.

Ndalimin e kandidimit të z. Lulzim Hamitaj, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më datën 31.10.2025. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë se 5 ditë nga dita e njoftimit të arsyetuar.

Në lidhje me kandidaturën e zj. Helena Papa, KED shtyu diskutimin, për të kërkuar dokumentacion sqarues lidhur me vlerësimin e kandidatit. Vijimin e diskutimit për kandidaturën e z. Alban Toro në mbledhjen e datës 23 shtator 2026. Vendimet e plota dhe të zbardhura do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në rubrikën dedikuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.