Gjatë 24 orëve të fundit, policia e Tiranës ka vënë në pranga 7 shtetas, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Mes të arrestuarve është edhe Florian Mansaku, 43 vjeç. Ai u prangos pasi Gjykata e Apelit Tiranë ka bërë njohjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Firence/Itali, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 6 vite burg.

Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, Gjykata e Apelit ka bërë konvertimin e dënimit me një dënim prej 5 vitesh burg, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Pjesëmarrjes në organizata kriminale”.

Sherr me thika mes të rinjve

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M., 19 vjeç, pasi në rrugën ”Shote Galica”, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin S. P., 19 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Tre të arrestuar për dhunë në familje dhe mbajtje thike

Një 19 -vjeçar me inicialet L. P., u kap nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” pasi i gjetën një thikë që e mbante me vete.

Ndërsa shtetasi R. Q., 43 vjeç, u kap pasi ishte në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”.

Ndërsa efektivët në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin e shtetasit B. Gj., 32 vjeç (i kapur nga seksioni i kërkimit), pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Përndjekja”.

Në pranga dhe dy shoferë

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

L. Gj., 30 vjeç dhe K. B., 62 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.