Sezoni turistik nuk mbyllet me fundin e gushtit në Durrës.
Fillimi i vjeshtës ka sjellë një valë të re vizitorësh nga mbarë Evropa, ndërsa prenotimet në strukturat akomoduese shtrihen deri në mesin e tetorit, duke e shndërruar vjeshtën në një mundësi të shkëlqyer për ta shijuar bregdetin pa fluksin e madh të verës. Për shumë të huaj, Durrësi dhe Shqipëria nuk është vetëm plazh, por një paketë e plotë me energji, aktivitete e argëtim.
“Erdhëm për shkak të motit, por edhe sepse dëgjuam për festat dhe muzikën afrobeats që bëhet në Durrës. Donim ta provonim vetë! Durrësi është shumë i këndshëm, moti është i shkëlqyer dhe njerëzit shohin punën e tyre”, tha një turist.
“Përvoja është perfekte. Erdhëm dje, bëmë një nga festat më të mira të jetës sonë. Sot ka diell, ndaj po planifikojmë pak zipline dhe udhëtim me motorë quad. Shqipëria është një vend i vogël, por me shumë energji pozitive! Ndaj e rekomandoj Shqipërinë. Shijojeni se jeta është e shkurtër”, u shpreh një tjetër turist.
Përveç atyre që kërkojnë festat dhe aventurën, shtatori tërheq edhe shumë familjarë dhe të rinj që shfrytëzojnë këtë periudhë për pushime më të qeta.
“Erdhëm për përvjetorin tonë dhe ditëlindjet tona. Kemi vizituar Tiranën, Shkodrën dhe tani Durrësin. Çdo gjë ka qenë e bukur, kemi bërë shumë gjëra”, tha një tjetër turist.
“Është bukur këtu dhe ushqimi është shumë i mirë! Zgjodhëm shtatorin sepse pushimet shkollore në Austri janë tani, kështu që po kënaqemi”, u shpreh një turist nga Austria.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, ecuria e këtij viti ka qenë mjaft e mbarë dhe interesi për Durrësin mbetet i lartë dhe përtej muajve tradicionalë të sezonit.
Përtej bilancit pozitiv, operatorët turistikë përballen edhe me sfida. Një nga shqetësimet kryesore të këtij sezoni lidhet me menaxhimin e punonjësve të huaj dhe marrëdhënien e punës me ta.
Teksa stina e vjeshtës hyn gradualisht, Durrësi vazhdon të mbetet plot gjallëri. Zgjatja e sezonit po konfirmon se qyteti bregdetar po i afrohet gjithnjë e më shumë objektivit për të qenë një destinacion turistik gjithëvjetor.
Top Channel
