Korriku, muaji i pushimeve dhe i shpenzimeve më të larta për shumë familje solli një tjetër rritje të çmimeve. Në kulmin e sezonit veror, inflacioni arriti në 3,4% nga 2,5% një vit më parë, ndërsa krahasuar me qershorin, çmimet u rritën me 0.2%. Pas kësaj shifre janë shpenzimet që familjet përballojnë çdo ditë, nga ushqimet dhe banesa te transporti dhe shërbimet.

Peshën më të madhe në inflacion e kanë ushqimet dhe pijet joalkoolike, me një kontribut prej 1,18 pikë përqindjeje. Por korriku nuk është thjesht një muaj tjetër në matjen e çmimeve. Efekti sezonal bëhet veçanërisht i dukshëm te transporti, ku çmimet u rritën me 4,7 për qind vetëm brenda një muaji, ndërsa në terma vjetorë rritja arrin në 8%. Edhe grupi i qirasë, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe karburanteve, me 0,83%, ndërsa transporti kontribuon me 0,52%.Në terma vjetorë, rritja më e fortë e çmimeve është pikërisht te transporti, me 8%, ndërsa argëtimi, sporti dhe kultura shënojnë rritje 6%. Ushqimet janë shtrenjtuar me 3,5%, ndërsa kostot e banesës me 4,1%.

Vetë INSTAT thekson se ndryshimi mujor është i ndjeshëm ndaj efekteve sezonale. Edhe pse disa produkte sezonale kanë lehtësuar çmimet gjatë korrikut, shporta e familjes vijon të përballet me presion nga transporti, banesa dhe ushqimet. Një rritje të inflacionit mbi objektivin Banka e Shqipërisë e vlerëson të përballueshme për politikën monetare.

Në konferencën e fundit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se inflacioni pritet të qëndrojë lehtësisht mbi objektivin në gjysmën e dytë të vitit, përpara se të kthehet gradualisht drejt tij. Ai theksoi gjithashtu se balanca e rreziqeve për inflacionin mbetet në kahun e sipërm. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë vijon të mbajë normën bazë të interesit në 2,5 për qind./ Top Channel