Turqia dërgon një helikopter për të ndihmuar në operacionet për shuarjen e zjarreve nga ajri
Vatrat e zjarreve vazhdojnë të mbeten problematike në një pjesë të madhe të vendit. Sipas të dhënave më të fundit nga ministria e Brendshme në të gjithë territorin e vendit, si rezultat i temperaturave të larta dhe erës së fortë ka pasur një rritje të vatrave aktive të zjarrit, duke arritur në 40 të tilla.
Kështu në qarkun Berat, ka 2 vatra zjarri aktive në kodrat e Sulmit, mbi qytetin e Beratit. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me ullinj dhe rrezikoi edhe banesat në afërsi. Por ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse shmangu rrezikun dhe së bashku me forca nga komuniteti po punojnë për izolimin e plotë dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Në qarkun e Dibrës ka 8 vatra aktive zjarri, ku më problematike paraqiten në ekonomitë pyjore “Lura 1”, në vendin e quajtur “Zhavorri”, dhe në “Lura 2”, në vendin e quajtur “Fusha e Pelave” dhe “Liqeni i Bruçit”, por është vënë nën kontroll. Ndërhyrja nga ajri gjatë orëve të pasdites po ndikon në shuarjen e plotë të këtyre vatrave. Në ekonominë pyjore Kaçni, dhe në fshatin Mazhicë të komunës Shupenzë vazhdon zjarri në vendin e quajtur “Luçan”, në komunën Martanesh, në vendin e quajtur “Mbas-Deje”, sektori pyjor Derjan, si dhe në fshatin Dragu, komuna Fushë Bulqizë.
Në qarkun Elbasan mbeten 6 vatra aktive zjarri. Në rrethin e Gramshit, ka 2 vatra zjarri në pyll me pisha në fshatin Zenelaj, të Komunës Skënderbegas, në fshatin Tushaj, Komuna Sult, të cilët janë drejt izolimit të plotë. Në rrethin e Librazhdit janë 3 vatra zjarri, në fshatin Librazhd Katund, ku për fikjen e zjarrit po ndihmojnë edhe forcat e ushtrisë. Në fshatin Borovë, komuna Stërblevë, si dhe në fshatin Përvallë dhe fshatin Letëm, komuna Lunik, ku zjarri është nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e plotë të tyre.
Në qarkun Kukës ka 5 vatra aktive. Vatra në Qafë Komi dhe dy vatrat në ekonominë pyjore Surroj, mbetën sërish problematike. Po punohet nga komuniteti i zonës, forcat pyjore, si dhe mjetet zjarrfikëse të PMNZSH-së Kukës, ndërsa nesër do të ndërhyhet edhe nga ajri. Vatra e zjarrit në rajonin e Zapodit, Komuna Zapod dhe ajo në fshatin Dobrenj, Komuna Bytyç janë vënë nën kontroll të plotë. Zjarri në kullota në Bjeshkët e Cukalit, Komuna Bujan Tropojë aktualisht është nën kontroll.
Në qarkun Korçë ka 2 vatra zjarri aktive. Një vatër është në pyjet e Voskopojës, por që forcat e shërbimit pyjor, forcat e komunës dhe vetë komuniteti, e kanë vënë nënkontroll, si dhe gjatë ditës së sotme u riaktivizua vatra e zjarrit në majën e malit të Bardhë, komuna Mollaj, por pa rrezikshmëri për banesat apo zonën pyjore pasi po veron në zonë me shkurre dhe bar të thatë.
Qarku Lezhë ka 4 vatra aktive zjarri. Më shqetësuese mbetet vatra e zjarrit në zonën me pyll të fshatit Fan, bashkia Rubik. Vatra të tjera, por që janë drejt izolimit të plotë ka në fshatin Malaj, të Rrëshenit, në fshatin Gallatë dhe Selitë, Komuna Selitë dhe në fshatin Kaçinar, Komuna Kaçinar, Mirditë.
Në qarkun Shkodër ka 9 vatra aktive zjarri. Situata më problematike shfaqet në rrethin Pukë, në fshatin Orosh, të komunës Qafë Mali dhe në fshatin Flet, Komuna Blerim, ku rrezikohen edhe 2 banesa. Zjarre në vazhdim të tjerë janë: në Malin e Krrabit, fshati Midë, në fshatin Fusha e Korit, komuna Qelëz, dhe në Qafën e Sharrit. Në rrethin e Malësisë së Madhe janë aktive dy vatra zjarri; në fshatin Bukoviç, të Komunës Kastrat dhe në fshatin Lëpushë, në Komunën e Kelmendit.
Në të dy anët e rrugës nacionale Tiranë-Elbasan në Qafën e Krrabës, km 29, ka vatra zjarri me përmasa të mëdha, ku është dëmtuar nga flakët edhe një lokal. Për shuarjen e zjarrit përveç komunitetit dhe forcave të pyjores kanë shkuar edhe mjete zjarrfikëse të PMNZSH-së Tiranë dhe Elbasanit. Ndërkaq sot, në kuadër të marrëveshjeve me Turqinë, ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, helikopteri i tipit “Kamov”, për të ndihmuar në kryerjen e operacioneve nga ajri për shuarjen e zjarreve, në të gjitha ato zona ku është e pamundur të ndërhyhet nga toka. 25 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)