Konferenca


Nga viti në vit, numri i personave të varur nga pijet alkoolike është rritur ndjeshëm. Këtë fakt e pohojnë mjekët, të cilët ngrenë alarmin se gjatë tre viteve të fundit, në klinikën pranë QSUT-së, janë kuruar rreth 400 persona të grupmoshave të ndryshme. Ata theksojnë se problematik mbetet shtimi i numrit të adoleshentëve, kategori në rritje ndaj varësisë së alkoolit.


Ekspertët bëjnë me dije se personat që konsumojnë pije alkoolike, ata të cilët kanë varësi ndaj tyre, u përkasin përgjithësisht


shtresave me probleme ekonomike apo sociale.


“Kemi 400 pacientë të trajtuar, nga të cilët rreth 46% ia kanë dalë, pra janë absinentë alkoolikë të qëndrueshëm. Pjesa tjetër ka bërë rirënie. Trendi është në rritje. Për t’u socializuar të rinjtë konsumojnë alkool, për të qenë më efikasë në shoqërinë e tyre”, tha Shpëtim Doksani, drejtor i Klinikës Alkoologjike.


Gjatë një konference me specialistë të fushës, mjekët thanë se krahas problemeve të rënda që sjell në shëndet, trajtimi me medikamente kundër varësisë ndaj alkoolit ka një kosto të rëndë për xhepat e këtyre pacientëve. Në takimin e zhvilluar dje, mjekët u njohën edhe me disa nga metodat e fundit për të evidentuar në kohë personat që krijojnë varësi ndaj alkoolit.