Historia e Fatjon Zhupa është një rrëfim i dhimbshëm mbijetese dhe sakrifice, që prej tre vitesh rëndon mbi supet e tij dhe të tre fëmijëve të mitur. Pas humbjes së bashkëshortes, jeta e kësaj familjeje u përmbys plotësisht.
Tre fëmijët u rritën pa përkujdesjen e nënës, ndërsa çdo ditë përballen me mungesa të thella dhe kushte jetese tepër të vështira. Banesa ku jetojnë nuk mund të quhet më shtëpi, muret janë të dëmtuara, çatia nuk i mbron dhe frika është bërë pjesë e përditshmërisë së tyre.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Fatjoni mban mbi supe edhe barrën e kujdesit për dy prindërit e sëmurë: nëna e prekur nga skleroza dhe babai i paralizuar, të cilët kanë nevojë për shërbim të vazhdueshëm. Mes varfërisë dhe pamundësisë për të siguruar një punë të qëndrueshme, ai përpiqet çdo ditë të mbajë familjen gjallë, shpeshherë mes shpresës dhe dëshpërimit. Reshjet e shiut në janarin e këtij viti e përkeqësuan edhe më shumë situatën. Inertet që zbritën nga mali dëmtuan rëndë banesën, duke e kthyer atë në një vend të rrezikshëm për jetesë.
Përmes Top Channel, Fatjoni bën një apel prekës për ndihmë ndaj të gjithë shqiptarëve. Një apel që nuk kërkon luks, por vetëm mbijetesë. Mes gjithë kësaj varfërie, dëshira e vajzës së vogël është e thjeshtë, por therëse për një prind: një shtëpi e sigurt dhe një kukull Barbie. Një ëndërr e vogël, që për shumëkënd duket e zakonshme, por për Fatjonin mbetet e paarritshme.
Ky është një rrëfim që kërkon jo vetëm vëmendje, por edhe zemër. Një thirrje për solidaritet, për t’i dhënë kësaj familjeje një mundësi për të jetuar me dinjitet.


