Një aksident zinxhir është regjistruar mesditën e kësaj të hëne në autostradën Durrës-Tiranë, pranë Sukthit, në drejtim të kryeqytetit.

Sipas informacioneve paraprake, në përplasjen masive janë përfshirë shtatë automjete. Dyshohet se fillimisht janë përplasur dy makina, ndërsa pak metra më tej pesë automjete të tjera janë përfshirë në një aksident zinxhir.

Për pasojë, qarkullimi në aksin Durrës-Tiranë është vështirësuar ndjeshëm, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh.

Ndërkohë, një tjetër aksident është regjistruar në krahun e kundërt të autostradës, në drejtimin Tiranë-Durrës, pranë zonës së Maminasit. Dy ngjarjet kanë sjellë rëndim të trafikut, me kolona automjetesh që shtrihen për disa kilometra.

Policia e Durrësit ka bërë me dije se nga aksidentet nuk ka persona të lënduar. Efektivët ndodhen në terren dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të dy përplasjeve.