Një vendvarrim në Lezhë do të kushtojë 25 mijë lekë (të reja). Vendimi është miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe pritet të hyjë në fuqi pasi të marrë miratimin e prefektit.

Me këtë vendim, në varrezat publike nuk do të ketë më varrime pa lejen e Bashkisë. Familjarët do të duhet të paraqiten pranë njësive administrative certifikatën e vdekjes për të marrë autorizimin dhe për të kryer pagesën përkatëse. Nga tarifa do të përjashtohen familjet në nevojë. Vendi i varrit nuk do të zgjidhet më sipas preferencave por do të caktohet nga Bashkia, sipas planit për hapësirat e lira. Çdo varrim do të regjistrohet në regjistrin elektronik, ndërsa zhvarrimet do të lejohen vetëm në rastet e parashikuara nga ligji. Po ashtu, ndërtimi i varreve familjare, vendosja e monumenteve apo çdo ndërhyrje tjetër në varreza do behet me leje te posaçme.

Sipas kryebashkiakut Pjerin Ndreu, rregullorja synon t’i japë fund abuzimeve të konstatuara ndër vite me ndarjen dhe shitjen e hapësirave për varre.

“Do të bëjmë identifikim të plotë. Nëse janë bërë varre familjare para këtij projektvendimi, ata persona duhet të vërtetojnë se duhet per nevojat familjare por por nëse ai vendvarrim shitet me 4 mijë euro ne treg te zi, kjo nuk do të tolerohet më nga bashkia”, tha Ndreu.