Varrezat e Mamurrasit dhe Laçit janë kthyer në një shqetësim serioz për qytetarët, pasi në shumë zona bari ka arritur deri në 1.5 metra lartësi, duke vështirësuar aksesin dhe kujdesin ndaj varreve të familjarëve të tyre.
Qytetarët shprehen se e kanë të vështirë të lëvizin mes rrugicave të mbuluara nga bimësia e dendur, ndërsa me rritjen e temperaturave të verës shtohet edhe frika nga prania e gjarpërinjve dhe zvarranikëve të tjerë. Për shumë prej tyre, vizita në varreza është kthyer në një përjetim shqetësues dhe jo në një moment qetësie e reflektimi.
Fiks Fare konstatoi në terren se në varrezat e Mamurrasit situata është e ndarë: pranë hyrjes kishte pastrim, por më thellë bari dhe mbeturinat kishin pushtuar hapësirat mes varreve. Në disa zona ishin grumbulluar edhe mbetje të ndryshme si plastikë, lule artificiale dhe bar i prerë, duke e përkeqësuar edhe më shumë pamjen dhe kushtet e mirëmbajtjes.

E njëjta situatë u pa edhe në varrezat e Laçit, ku pjesërisht ishte ndërhyrë për pastrim, por pjesa më e madhe e territorit mbetej e mbuluar nga bari i gjatë, duke bllokuar madje edhe aksesin drejt disa varreve.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale, duke theksuar se varrezat duhet të jenë vende të pastra, të sigurta dhe me dinjitet, jo hapësira të lëna në harresë.

Pas interesimit të Fiks Fare, përfaqësues të Bashkisë Kurbin pranuan problematikën dhe premtuan ndërhyrje për pastrimin e plotë të varrezave në një kohë sa më të shpejtë, duke theksuar se puna e mirëmbajtjes është në proces dhe do të përshpejtohet.
Megjithatë, deri në realizimin e këtij premtimi, familjarët vazhdojnë të përballen me një realitet të vështirë, mes barërave të larta dhe frikës për sigurinë e tyre gjatë vizitave në varret e të dashurve.


Top Channel
