Një vatër zjarri është aktivizuar në një zonë të thellë malore, në territorin mes fshatrave Golem dhe Progonat, duke vështirësuar ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse.

Pas njoftimit të marrë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, një grup zjarrfikësish u nis drejt zonës për të neutralizuar flakët. Me mbërritjen në terren, ekipet konstatuan se zjarri kishte përfshirë majën e malit, në një terren me akses të kufizuar.

Pavarësisht vështirësive, ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin e vatrës dhe shuarjen e plotë të flakëve, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në zonat përreth.

Nga zjarri u dëmtua një sipërfaqe prej rreth 3 hektarësh, kryesisht me shkurre, barishte dhe bimësi të ulët.

Forcat zjarrfikëse kanë qëndruar në terren edhe pas shuarjes së flakëve, për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar një riaktivizim të mundshëm të vatrës.