Kardinalët që vijnë nga pesë kontinente do të këshillojnë Françeskun I për reformat
Një muaj pas zgjedhjes në krye të Vatikanit, Papa Françesku I ka zgjedhur një grup prej tetë kardinalësh, që do ta “këshillojnë në qeverisjen e Kishës universale”. Kardinalët, me origjinë nga pesë kontinente të ndryshme, nuk do të kenë një punë afatshkurtër. Takimi i parë i tyre është caktuar për në fillim të muajit tetor, megjithëse siç theksohet në një komunikatë të Sekretariatit të Vatikanit se: “Ati i Shenjtë është në kontakt me tetë kardinalët”.
Gati 30 ditë pas përfundimit të Konklavës, Papa Françesku I ka dashur t’u dërgojë një sinjal kardinalëve që e zgjodhën në Kapelën Sistine: çështja e riorganizimit të qeverisjes qendrore të Kishës Katolike nuk ishte thjesht një premtim. Jo rastësisht, komunikata e Vatikanit theksonte se Ati i Shenjtë ka vendosur krijimin e grupit “duke marrë parasysh sugjerimet që dolën gjatë Kongregacionit të Përgjithshëm”.
Tetë kardinalët që do të këshillojnë Papën janë: Giuseppe Bertello nga Vatikani, Francisco Javier Errázuriz Ossa nga Kili, Oswald Gracias, arkipeshkëv i Bombay, Indi; Reinhard Marx, arkipeshkëv i Monakos së Bavarisë; Laurent Monsengwo Pasinya, arkipeshkëv i Kinshasa, Kongo; Sean O’Malley, arkipeshkëv i Bostonit; George Pell, arkipeshkëv i Sydney; e Oscar Andrés Rodríguez Maradiaga, arkipeshkëv i Tegucigalpa, Honduras. Ky i fundit, latino-amerikan, si edhe Bergoglio, do të koordinojë punën e grupit, ndërsa peshkopi Albano Marcello Semeraro, i cili është pranë Papës në Romë, do të kryejë funksionin e sekretarit.