Qytetarët e Vlorës prej 4 ditësh po përballen me probleme dhe vështirësi, pasi nuk kanë ujë të pijshëm. Një pjesë po detyrohen të mbushin ujë për nevojat tek burimi në zonën e “Ujit të ftohtë”, e një pjesë po marrin nga autobotet e bashkisë.

Por për këta të fundit, Ujësjellës Kanalizimeve i qytetit ka njotuar që të mos e konsumojnë ujin, të cilin po e marrin nga autobotet. Përmes një njoftimi zyrtar ata thonë se ai duhet të përdoret për shërbime komunale dhe jo për konsum.

“Ujësjellës Kanalizimeve Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t’a përdorin për shërbime komunale dhe jo për konsum. Faleminderit!”– thuhet në njoftim.