Nëse ju vjen një telefonatë dhe dikush që prezantohet si punonjës banke iu kërkon të dhëna të kartës bankare apo informacione të tjera personale mos ia jepni edhe nëse në ekranin e telefonit tuaj shfaqet emri apo logo e bankës. Mund të jetë një përpjekje për t’iu mashtruar dhe për të ndërhyrë në llogaritë tuaja. Shqetësimi ngrihet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

“Kemi marrë dhe indicie nga qytetarë të ndryshëm të cilët e kanë raportuar si shqetësim janë telefonata që bëhen në mënyrë elektronike, përdorin platforma online, marrin indicie nga burime të ndryshme nga gmail, rrjetet sociale, instagrami, facebook apo të tjera përdorin dhe logo të bankave duke ilustruar sikur janë ato pikat e kontaktit dhe nga ana tjetër dhe duke pasur persona që punojnë me banka ndershtetërore flasin dhe në gjuhë të huaj për ta bërë më të besueshme”, tha eksperti.

Specialistët i bëjnë thirrje qytetarëve të tregohen të vëmendshëm dhe ta raportojnë rastin pranë bankës.

“Bankat asnjëherë nuk kërkojnë përmes telefonit të dhëna personale apo kredenciale apo kode sigurie. Duhet të verifikojnë me patjetër kontaktet që marrin nga këto banka, se bankat që janë zyrtare në Shqipëri kanë komunikime zyrtare, të verifikohen çfarë komunikime kanë patur më parë me bankat, se kanë qenë legjitime apo jo, nëse kanë hasur anomoli se diçka nuk shkon menjëherë të raportojnë te pikat e kontaktit që kanë tek bankat”, shtoi më tej ai.

Telefonatat realizohen përmes internetit dhe identiteti vërtetë i telefonuesit sipas specialistëve nuk mund të verifikohet përmes adresave të platformave online prandaj apeli i tyre vjen për të mos ndarë asnjë informacion dhe për të ndërprerë menjëherë telefonatën.