Spitali i Durrësit ka reaguar lidhur me vdekjen e të miturit, i cili humbi jetën pas sulmit me thikë gjatë një konflikti.
Përmes një njoftimi, Spitali i Durrësit teksa i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimës, thekson se i mituri mbërriti në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Po ashtu në njoftim thuhet se ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedurat emergjente dhe kanë bërë më së miri punën e tyre.
Reagimi i Spitalit erdhi pas disa pretendimeve në media se gjatë operacionit për pacientin në fjalë, në ambientet e spitalit kanë ikur dritat, diçka që sipas Spitalit është e pavërtetë.
Sipas spitalit, pretendimet e të afërmve se shkak i vdekjes së të miturit ishte ikja e dritave, nuk janë të vërteta sepse gjatë operacionit është ndezur gjeneratori.
Deklarata për mediat e spitalit:
Spitali Rajonal Durrës
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.
Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.
Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:
Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.
Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.
Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh.
Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes.
