
Vdekja misterioze e 4 rusëve në saunën e një hoteli në Qerret të Kavajës, ka detyruar prokurorinë e këtij qyteti, që të kërkojë ndihmën e dy shteteve të tjera, Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë.
Përmes dy letërporosive, prokurorët e Kavajës, kërkojnë që të zgjidhin sado pak enigmën e vdekjes së 4 anëtarëve të familjes ruse, ndërkohë gjatë kësaj kohe janë marrë takime konsultative me të gjithë ekspertët mjeko-ligjorë dhe ekspertët e tjerë që janë angazhuar me veprime në këtë dosje.
Kërkesa për ndihmë juridike e autoriteteve shqiptare drejtuar drejtësisë ruse, vjen në një kohë kur prej 24 shkurtit Rusia është përfshirë në një konflikt ushtarak me Ukrainën.
“Ora News” mëson se në letërporosinë e saj, pala shqiptare kërkon nga pala ruse që të kryejë pyetjen e disa persona, që janë rrethi familjar dhe shoqëror i 4 viktimave, Natalia dhe Sergei Burenkov, Ekaterina Burenkova dhe i fejuari i kësaj të fundit, Nikita Belousov.
Njëherësh, prokuroria e Kavajës kërkon të njihet me kartelat mjekësore që 4 personat kanë pasur në Rusi dhe historikun e mjekimit të tyre në këtë shtet.
“E gjitha kjo është kërkuar me qëllimin e vetëm për të mësuar diçka më tepër rreth të kaluarës së shëndetit të secilit prej viktimave, të cilën humbën jetën papritur dhe në mënyrë të menjëhershme”-thanë burimet pranë prokurorisë.
Tanimë prokuroria e Kavajës është në pritje të përgjigjes nga Moska, ndërsa një tjetër përgjigje kërkohet dhe nga autoritet e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut.
Kjo pasi një natë para se të ndëronin jetë, 4 rusët kanë qënë në territorin e Maqedonisë së Veriut për qëllime turrizimi.
Nisur nga kjo situatë prokuroria e Kavajës i kërkon në mënyrë zyrtare drejtësisë së këtij shteti, informacion mbi vendet ku kanë qëndruar, ushqimin që kanë konsumuar, hotelin ku kanë fjetur dhe personat që mund të kenë takuar 4 shtetasit rusë.
Dyshimet e para që vijojnë të mbetet ende në fuqi janë se katër shtetasit rusë, janë asfiksuar nga prezenca e monoksidit të karbonit në zonën ku qëndronin rusët, është shkaktuar nga kaldaja e hotelit.
Por ende nuk është përcaktuar plotësisht me saktësi dhe në mënyrë shkencore ky rezultat, për shkak se vdekja e 4 anëtarëve të një familje, ka qënë e mënjëhershme dhe në të njëjtën kohë.
Hetimi i kësaj çështje që ka nisur për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” të një ose më shumë personave, konsiderohet si më komplekse për prokurorinë shqiptare.
Sipas një ekspertize të përpiluar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, shkaku fillestar i humbjes së jetës së anëtarëve të familjes ruse prania e monoksidit të karbonit në mushkëri, në masën mbi 75 për qind.
Kjo ekspertizë ka rrëzuar dyshimet e ngritura më herët nga prokuroria, se vdekja mund të kishte ardhur nga përdorimi i tepruar i klorit në pishinë. Ndërsa prezenca e monoksidit të karbonit në zonën ku qëndronin rusët, është shkaktuar nga kaldaja e hotelit./ORANEWS