Me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë u shkarkua nga detyra ditën e sotme drejtori i spitalit të Përmetit, Dhimitër Nasi, ndërsa paralajmërim për shkarkim ka marrë dhe mjeku pediatër, Fadil Pashollari. Masa e marrë ka ardhur pas vdekjes së një vajze 7-vjeçare dy ditë më parë në këtë spital, ngjarje për të cilën familjarët kanë denoncuar se ka ardhur si rezultat i papërgjegjshmërisë dhe mungesë së ndihmës së specializuar nga ana e stafit të spitalit.
Ndërkohë, sipas raportit paraprak të MSH, pas inspektimit në spitalin e Përmetit rezulton se për rastin e vogëlushesnuk është respektuar sistemi i referimit të pacientit për rastet e rënda.
7-vjeçarja Era Bollari humbi jetën dy ditë më parë në spitalin e Përmetit, ndërsa mjekët e këtij spitali pohojnë se vajza ka ardhur në gjendje të rëndë në spital, rreth orës 04:00 të së hënës dhe duke qenë se gjatë ditës nuk është përmirësuar, me gjithë ndihmën mjekësorë të dhënë nga spitali rajonal, është nisur për të ndihmë më të specializuar në spitalin e Tiranës. Por rrugës, 7-vjeçarja ka ndërruar jetë. Familjarët e vajzës kanë akuzuar mjekët se kanë neglizhuar në mjekimin e fëmijës së tyre, gjë që solli edhe vdekjen e saj.
Nga ana e vet, MSH ka nisur një grup pune për hetimin e vdekjes së të miturës, por një rol të madh lidhur me këtë rast do të kenë analizat në institutin e shëndetit publik, të cilat dalin pas disa ditësh.
16 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)