Nderimi i ish-deputetit të ndjerë Abdi Baleta është kthyer në një “mollë sherri” në seancën e sotme, mes mazhorancës dhe opozitës.

Deputeti i opozitës Besart Xhaferri në fjalën e tij kërkoi që të mbahej një minutë heshtje për nder të ish-deputetit të ndjerë të PD-së, i cili u nda nga jetë gjashtë ditë më parë. Teksa Xhaferri propozoi minutën e heshtjes, ai u ndalua nga kryeparlamentari Niko Peleshi që i kujtoi se ishin mbledhur për çështje tjetër në rend dite, mbi procedurën dhe procesverbali.

Deputeti demokrat nuk u tërhoq nga propozimi dhe deputetët e opozitës u ngritën në këmbë duke mbajtur një minutë heshtje, kurse grupi i mazhorancës e refuzoi, duke mos u ngritur.

“Duket se sa vlerë ka jeta për juve. As për deputetin Azem Hajdari nuk mbajtët një minutë heshtje”, tha Xhaferri.

Pas minutës së heshtjes ndërhyri kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili vuri në dukje ndaj deputetëve të PD-së se kjo nuk ishte kërkuar sipas rregullores për një minutë heshtje ndaj ish-deputetit Baleta.

“Dihet se sa e keni respektuar ju zotin Abdi Baleta. Por kjo duhet të ishte bërë sipas procedurave me një propozim dhe me një marrëveshje të përbashkët siç kemi bërë herë të tjera. Ne nuk jemi kundër, të propozohet dhe të mbahet”, tha Balla mes të tjerash.

Kryeparlamentari Peleshi e miratoi duke u shprehur se ka dakordësi që pas propozimit të PD-së të mbahet një minutë heshtje nga Parlamenti në fund të procedurës së votimit dhe seancës plenare.

“Duhet respektuar rregullorja, sepse duke respektuar rregulloren respektojmë edhe të ndjerin. Ndaj edhe minuta e heshtjes, edhe pas dakordësisë së kreut të grupit të PS-së, të mbahet minuta e heshtjes në fund të seancës”-, tha Peleshi.